José Mourinho ka dhënë një intervistë të gjatë për “Sport Week”, ku ka folur për karrierën, futbollin ndërkombëtar dhe Kupën e Botës, duke u shprehur optimist për Portugalinë dhe duke theksuar se futbolli duhet të qëndrojë i ndarë nga politika.
Duke folur për Botërorin, Mourinho tha se Portugalia ka potencial për të arritur deri në fund.
“Portugalia mund të bëjë gjithçka. Ka një gjeneratë të jashtëzakonshme. Ne fituam Nations League një vit më parë, dhe kjo gjeneratë është teknikisht më e fortë se ajo e Euro 2016. Portugalia mund ta fitojë këtë Botëror.”
Ai përmendi gjithashtu si favoritë edhe Brazilin e Carlo Ancelotti dhe Argjentinën.
Në lidhje me situatën e Iranit dhe debatet politike rreth pjesëmarrjes së tyre në turne, Mourinho mbajti një qëndrim të qartë:
“Futbolli dhe politika janë dy gjëra të ndryshme. Lojtarët iranianë që janë kualifikuar e meritojnë të luajnë në Kupën e Botës.”
Duke kujtuar periudhën e tij te Interi dhe Roma, Mourinho u ndal edhe te ish-lojtari Nicolò Zaniolo, të cilin e quajti “të veçantë” për aftësinë e tij për të parashikuar situata në ndeshje.
Ai kujtoi një moment ku kishte parashikuar se Zaniolo do të shënonte golin vendimtar në finalen e Ligës së Konferencës kundër Feyenoordit, gjë që sipas tij edhe ndodhi.
I pyetur për një lojtar që përfaqëson “elegancën” në futboll, Mourinho zgjodhi Zinedine Zidane.
“Emri i parë që më vjen në mendje është Zinedine Zidane. Marco Materazzi mund të zemërohet me mua për këtë, por të shihje Zizou të luante ishte bukuri e pastër”, tha ai.
Për jetën si trajner, ai tha se vendi nuk ka shumë rëndësi për sa kohë është me njerëzit e tij të afërt, duke shtuar se “Roma është qyteti më i bukur në botë” për të.
Në përfundim, Mourinho theksoi se pavarësisht tensioneve jashtë fushës, futbolli duhet të mbetet një sport që u jep mundësi lojtarëve të garojnë në nivelin më të lartë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


