Ministria e Brendshme e Serbisë ka njoftuar për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Osman Selmani, në pikën kufitare të Mutivodës.
Sipas “MUP”-it serb, arrestimi i tij është kryer në kuadër të një operacioni të përbashkët të disa departamenteve policore.
Autoritetet serbe pretendojnë se “ekzistojnë baza për dyshim se më 14 qershor 1999, në lagjen e Sofalisë pranë Prishtinës, së bashku me disa anëtarë të ‘UÇK-së’, ai vrau brutalisht me armë zjarri dhe të ftohta çiftin bashkëshortor Vladimir dhe Persa Stanisavljević, civilë me kombësi serbe”.
Sipas njoftimit, për Osman Selmanin është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, ndërsa pritet që Gjykata e Lartë në Beograd t’i caktojë paraburgim deri në 30 ditë, raporton Radio Kontakt Plus.
Lidhur me rastin ka reaguar edhe familja e tij, e cila ka bërë të ditur se Selmani është ndaluar më 1 korrik.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


