Wednesday, May 13, 2026
spot_img
HomeLajmeMinistri i Jashtëm rus: Procesi i paqes për Ukrainën ka ngecur

Ministri i Jashtëm rus: Procesi i paqes për Ukrainën ka ngecur

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka deklaruar se pavarësisht disa shenjave të hershme pozitive në lidhje me marrëdhëniet SHBA–Rusi nën administratën e presidentit amerikan Donald Trump, sipas tij nuk ka zhvillime konkrete, ndërsa procesi i paqes për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë duket i bllokuar.

Duke folur për mediat ruse, Lavrov ka thënë se “fjalët e mira” mbi bashkëpunimet e mundshme me SHBA-në nuk kanë sjellë rezultate deri më tani, pasi, siç ka deklaruar, “asgjë nuk po ndodh në jetën reale”.

“Përveç këtij dialogu të rregullt, i cili është normal në marrëdhëniet midis njerëzve dhe vendeve, gjithçka tjetër ndjek modelin e iniciuar nga presidenti Biden”, ka thënë Lavrov, duke iu referuar sanksioneve kundër Rusisë në veçanti.

Ndërkohë, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar për valë të mundshme sulmesh me dronë rusë gjatë gjithë ditës, duke thënë se më shumë se njëqind dronë ishin në hapësirën ajrore të Ukrainës, pasi Moska ka ndryshuar taktikat për të sulmuar gjithnjë e më shumë gjatë orëve të ditës.

“Rusia vazhdon sulmet e saj dhe po e bën këtë në mënyrë të paturpshme, duke synuar qëllimisht infrastrukturën tonë hekurudhore dhe vendet civile në qytetet tona”, ka thënë ai në një postim në X.

Deklaratat e Lavrovit vijnë pak ditë pasi presidenti rus Vladimir Putin u kishte thënë gazetarëve se lufta në Ukrainë ishte gati të përfundonte.

Një deklaratë të ngjashme me Putinin ka bërë edhe presidenti amerikan Donald Trump të martën, teksa po nisej për vizitën e tij dyditore në Kinë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT