Profesori dhe publicisti Milazim Krasniqi ka ngritur shqetësimin për çmimet e taksive private në Prishtinë, duke pretenduar se një udhëtim i shkurtër nga Stacioni i Autobusëve i është ofruar për 10 euro.
Përmes një postimi në Facebook, Krasniqi ka treguar se nga Stacioni i Autobusëve deri te Furra Qerimi 1, taksistë privatë i kanë kërkuar 10 euro, ndërsa me një taksi online, sipas tij, të njëjtën rrugë e ka paguar 3.5 euro me taksimetër.
“Sot në Stacionin e Autobusëve taksistët privatë më kërkonin dhjetë euro nga aty deri te furra Qerimi 1. Një taksi Online më solli te furra Qerimi 1 për 3.5 euro, me taksimetër”, ka shkruar Krasniqi.
Ai ka ngritur pyetje edhe për institucionet përgjegjëse për mbikëqyrjen e këtij shërbimi, duke thënë se qytetarët që udhëtojnë me autobus mund të përballen me çmime të tilla sapo mbërrijnë në Prishtinë.
“Nuk e di a ka inspeksion, a ka komunë, a ka shtet që mbron qytetarët”, ka shkruar ai.
Komuna e Prishtinës ka rregullore për kushtet dhe kriteret e ushtrimit të veprimtarisë së transportit taksi, ndërsa më 22 shtator ka publikuar edhe thirrje për licencimin e operatorëve të rinj të transportit taksi.


