Saturday, August 29, 2026
spot_img
HomeLajmeMerz akuzon Rusinë për incidentin me dronë në Leipzig, Gjermania përgatit sanksione

Merz akuzon Rusinë për incidentin me dronë në Leipzig, Gjermania përgatit sanksione

Kancelari gjerman Friedrich Merz e konsideron Rusinë përgjegjëse për incidentet e fundit me dronë në aeroportin e Leipzigut dhe pritet të njoftojë masa të reja kundër Moskës, raporton “Welt am Sonntag”.

Sipas raportimit, qeveria gjermane po përgatit “sanksione të gjera”, të cilat mund të përfshijnë masa të menjëhershme kundër grupeve ruse të interesit. Plani pritet të bëhet publik deri të martën, kur ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian do të takohen në Irlandë.

Një zyrtar gjerman ka deklaruar se dëbimi i disa diplomatëve rusë apo mbyllja e “Shtëpisë së Rusisë” në Berlin nuk konsiderohen më masa të mjaftueshme. Sipas tij, po shqyrtohen sanksione më të ashpra dhe mundësia e zgjerimit të dërgesave të armëve për Ukrainën.

Burimet nuk kanë dhënë hollësi rreth masave që mund të shpallë Merz dhe as nëse Berlini do të fajësojë individë të caktuar apo Qeverinë ruse në tërësi. Gjermania raportohet se po përgatitet edhe për kundërmasa të mundshme nga Moska.

Qeveria gjermane nuk e ka konfirmuar zyrtarisht raportimin. Një zëdhënës i saj deklaroi për “Politico” se kancelaria nuk komenton spekulimet dhe se çdo akuzë zyrtare do të bëhet vetëm pas shqyrtimit të rezultateve të hetimit.

Reagimi pason zbulimin e dronëve me eksploziv në aeroportin e Leipzigut, ku njëri prej tyre raportohet se u gjet mes avionëve ukrainas të transportit Antonov. “Wall Street Journal” ka raportuar se vlerësimet e inteligjencës amerikane e lidhin Rusinë me sulmin e dyshuar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT