Në rast se nuk arrihet një marrëveshje politike për presidentin e ri të Kosovës, para krijimit të qeverisë, vendi shkoj përsëri në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kështu ka deklaruar në Rubikon të Klan Kosovës, opinionistja Doruntina Meha.
Meha thekson se insistimi i Lëvizjes Vetëvendosje për formimin e qeverisë, para zgjedhjes së presidentit po tregon se LVV-ja do përsëri zgjedhje të reja.
Siç deklaron ajo, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, mban qëndrime të pandryshueshme dhe pret që partitë opozitare t’i nënshtrohen kërkesave të tij.
“Albin Kurti i ka qëndrimet e veta tepër të barrikaduara, do vetëm atë që dëshiron ai dhe askush tjetër. Definitivisht, nëse shkohet me formimin e qeverisë në fillim, dihet se ose do të shkojmë në zgjedhje, ose Kurti pret nënshtrim të partive opozitare, qoftë të LDK-së apo PDK-së ndaj tij”, deklaroi Meha në Rubikon.
Më tej Meha tha se qëndrimi i kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, tashmë është bërë i qartë, ndërsa pret të shihet reagimi i PDK-së pas deklaratave të fundit të zyrtarëve të LVV-së.
“Qëndrimin e Abdixhikut e morëm mbrëmë, që nuk do të ketë nënshtrim. Do të presim se si do të jetë qëndrimi i PDK-së pas këtyre deklaratave nga LVV-ja. Por nuk e pres as që PDK-ja do t’i nënshtrohet Kurtit. Mënyra se si Kurti i thërret partitë politike tregon se ai kërkon nënshtrim, jo bashkëpunim të hapur me opozitën, por nënshtrimin e tyre”, tha ajo. /Klankosova.tv


