Avokati Besnik R. BERISHA ka reaguar ndaj draft-Deklaratës që pritet të trajtohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës lidhur me aktgjykimin e Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Në një analizë të gjatë, Berisha thotë se Kosova ka jo vetëm të drejtë, por edhe detyrim ta mbrojë të vërtetën e saj historike, por paralajmëron se kjo duhet bërë me kujdes juridik dhe me vetëdije për pasojat që mund të prodhojnë formulimet institucionale.
Ai thekson se lufta e UÇK-së nuk mund të shkëputet nga represioni, dhuna dhe mohimi i të drejtave themelore që i paraprinë asaj.
“Këtë histori e kemi jetuar. Për të nuk kemi nevojë as për leje, as për certifikim nga askush”, shkruan Berisha.
Megjithatë, sipas tij, pikërisht pesha e kësaj historie kërkon që ajo të mbrohet me saktësi dhe seriozitet, në mënyrë që formulimet e sotme të mos përdoren nesër kundër vetë interesit që synohet të mbrohet.
Berisha vë theks të veçantë te parimi i përgjegjësisë penale individuale.
Ai thotë se përgjegjësia penale nuk mund të shndërrohet në përgjegjësi të UÇK-së si tërësi, të luftës për liri apo të popullit të Kosovës.
Më 16 shtator, Trupi Gjykues i Dhomave të Specializuara i shpalli të katër të akuzuarit fajtorë për krime lufte të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes, duke i dënuar Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 dhe Selimin me 13 vjet.
Por Berisha argumenton se pikërisht për shkak se çështja ka ende dimension juridik dhe mjete procedurale që mund të përdoren, Kuvendi duhet të jetë i kujdesshëm në mënyrën se si e formulon qëndrimin e vet.
Sipas tij, kur flet Kuvendi, fjala nuk është më thjesht deklaratë politike e momentit.
Ajo merr peshën e institucionit më të lartë përfaqësues të Republikës.
Berisha thotë se drafti përmban pjesë me të cilat është e lehtë të pajtohesh, sidomos aty ku mbron të vërtetën historike, kërkon përdorimin deri në fund të mjeteve juridike dhe refuzon indiferencën institucionale ndaj shqetësimit qytetar.
Por ai ka rezerva serioze për disa prej formulimeve.
Drafti, ndër të tjera, e cilëson aktgjykimin “të padrejtë dhe të pabazuar”, flet për shkelje të standardeve të gjykimit të drejtë dhe thotë se aktgjykimi konteston karakterin çlirimtar të luftës së UÇK-së.
Sipas Berishës, këto janë përfundime juridike shumë më të gjera sesa një deklarim politik.
Ai thekson se kjo nuk do të thotë se Kuvendi duhet të heshtë përballë dyshimeve serioze për drejtësinë e procesit.
Përkundrazi.
Nëse ekzistojnë pretendime për gabime në vlerësimin e provave, zbatim të gabuar të ligjit, cenim të të drejtave procedurale apo mangësi të tjera që mund të kenë ndikuar në rezultat, sipas tij, ato duhet të artikulohen qartë dhe të ndiqen deri në fund.
Por përgjigjja juridike ndaj tyre, thotë ai, duhet të kërkohet aty ku mund të prodhojë efekt juridik.
Në procedurë, përmes argumentit, provës dhe mjeteve që ligji njeh.
Berisha paralajmëron se Kosova nuk duhet ta zhvendosë debatin nga prova dhe ligji në një përplasje mes politikës dhe Gjykatës.
Sipas tij, një gjë e tillë mund t’ua vështirësojë pikërisht betejën atyre që institucionet synojnë t’i mbrojnë.
Por në të njëjtën kohë, ai kundërshton idenë se Kosova duhet të heshtë vetëm nga frika se si mund të interpretohet jashtë vendit.
“Një shtet që respekton drejtësinë nuk heq dorë nga e drejta për ta kritikuar atë kur ka arsye. Një shtet që i çmon aleatët e vet nuk pushon së menduari me kokën e vet”, shkruan Berisha.
Një tjetër pikë që ai e konsideron të ndjeshme është ndryshimi eventual i Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Draft-Deklarata parashikon që Kuvendi të zotohet për veprime brenda kompetencave të veta, përfshirë edhe ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Berisha thotë se Kuvendi ka kompetencat e veta kushtetuese dhe ligjvënëse, por çdo ndërhyrje në arkitekturën juridike të Dhomave, përderisa procedurat ende vazhdojnë, duhet të matet jo vetëm me efektin politik të sotëm, por edhe me pasojat juridike, shtetërore dhe ndërkombëtare të së nesërmes.
Për të, pikërisht këtu është thelbi i debatit.
Mbrojtja e historisë së Kosovës dhe respektimi i sundimit të ligjit nuk janë qëndrime që përjashtojnë njëra-tjetrën.
As mbrojtja e të akuzuarve në Hagë dhe ruajtja e interesit shtetëror të Kosovës nuk duhet të trajtohen sikur njëra kërkon sakrifikimin e tjetrës.
Në një prej pjesëve më të forta të reagimit, Berisha shkruan se Deklarata e Kuvendit nuk duhet të hartohet vetëm për efektin politik të momentit.
“Deklarata e Kuvendit duhet të shkruhet jo vetëm për duartrokitjen e së hënës, por edhe për leximin që do t’i bëhet pas dhjetë vitesh.”
Sipas tij, ajo duhet të jetë mjaftueshëm e fortë për ta thënë atë që Kosova beson, por edhe mjaftueshëm e mençur për të mos dëmtuar atë që Kosova duhet të mbrojë.
Berisha e përmbyll qëndrimin me një thirrje për maturi dhe përgjegjësi shtetërore.
“Nuk na duhet heshtje nga frika, por as veprim nga zemërimi. Na duhet një Kosovë që e njeh historinë e vet, i mbron njerëzit e vet dhe nuk e humb gjykimin pikërisht atëherë kur emocionet janë më të mëdha.”
Dhe në fund, ai e lidh patriotizmin me përgjegjësinë institucionale.
“Patriotizmi nuk provohet vetëm me guximin për të folur kur të tjerët heshtin, por edhe me përgjegjësinë për të mos i bërë dëm Kosovës pikërisht atëherë kur besojmë se po e mbrojmë.”
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


