Një raport i ri i Organizatës Ndërkombëtare të Punës (ILO) ka ngritur alarmin se kushtet e punës po shkaktojnë një krizë të heshtur globale shëndetësore.
Sipas studimit, mbi 840 mijë persona humbin jetën çdo vit si pasojë e rreziqeve psikosociale në vendin e punës, ku faktorët kryesorë përfshijnë stresin, orët e gjata të punës, pasigurinë në punësim, si dhe ngacmimet apo dhunën në ambientin profesional.
Raporti thekson se këto rreziqe lidhen ngushtë me sëmundjet kardiovaskulare dhe çrregullimet e shëndetit mendor, përfshirë edhe vetëvrasjet, raportoi të enjten “Euronews”.
Sipas ekspertes së ILO-së, Manal Azzi, rreziqet psikosociale po shndërrohen në një nga sfidat më të mëdha për sigurinë dhe shëndetin në punë në botën moderne.
“Përmirësimi i mjedisit psikosocial në punë është thelbësor jo vetëm për mbrojtjen e shëndetit fizik dhe mendor të punëtorëve, por edhe për rritjen e produktivitetit dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik”, ka deklaruar ajo.
Organizata Botërore e Shëndetit vlerëson se problemet më të shpeshta të shëndetit mendor përfshijnë depresionin, çrregullimet e ankthit, çrregullimet e gjumit dhe lodhjen kronike.
Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se stresi në punë shpesh çon në sjellje të pashëndetshme, si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, ushqyerja e tepruar dhe mungesa e aktivitetit fizik, duke rritur rrezikun për obezitet, hipertension dhe sëmundje të tjera kronike.
Raporti identifikon si shkaqe kryesore të dëmit në vendin e punës orët e gjata të punës, ngacmimet, presionin e lartë, mungesën e balancës mes përpjekjes dhe shpërblimit, pasigurinë në punë dhe dhunën.
Aktualisht, rreth 35% e punëtorëve në botë punojnë më shumë se 48 orë në javë, ndërsa puna mbi 55 orë në javë rrit ndjeshëm rrezikun për goditje në tru dhe sëmundje të zemrës.
Po ashtu, rreth 23% e punëtorëve globalisht raportojnë se kanë përjetuar dhunë apo ngacmime gjatë jetës së tyre profesionale, ku dhuna psikologjike mbetet forma më e përhapur.
ILO-ja bën thirrje për masa urgjente për përmirësimin e kushteve të punës, veçanërisht në një kohë kur digjitalizimi, inteligjenca artificiale dhe format e reja të punës po ndryshojnë ndjeshëm mjedisin profesional.
Sipas raportit, organizatat duhet të fokusohen në menaxhimin e ngarkesës së punës, qartësinë e roleve, numrin e stafit dhe orarin e punës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


