Wednesday, September 16, 2026
spot_img
HomeLajmeEdhe Drenasi, Ferizaji e Obiliqi ia kushtojnë orën e parë mësimore UÇK-së

Edhe Drenasi, Ferizaji e Obiliqi ia kushtojnë orën e parë mësimore UÇK-së

Përveç Prishtinës edhe shkollat në Drenas, Ferizaj dhe Obiliq do t’ia kushtojnë orën e parë mësimore nesër, më 16 shtator, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe historisë së luftës për çlirimin e Kosovës.

Drejtori të Arsimit në këto komuna kanë njoftuar se gjatë orës së parë mësimore do t’i kushtohet vëmendje e veçantë historisë së luftës, sakrificës për lirinë e Kosovës dhe kujtesës historike.

Në Drenas, Drejtoria Komunale e Arsimit ka bërë të ditur se aktiviteti synon edukimin e nxënësve dhe ruajtjen e kujtesës historike, duke i njohur ata me rëndësinë e luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.

Mësimdhënësve u është kërkuar që ora të zhvillohet në mënyrë të përshtatshme për moshën e nxënësve, me fokus në edukim, respekt dhe përcjelljen e vlerave historike te brezat e rinj.

Edhe në Ferizaj, shkollat do t’ia kushtojnë orën e parë mësimore kujtesës historike për UÇK-në dhe luftën për çlirimin e Kosovës.

Përmes një njoftimi drejtuar drejtorëve dhe mësimdhënësve, është kërkuar që gjatë kësaj ore t’i kushtohet vëmendje e veçantë luftës së UÇK-së dhe sakrificës për lirinë e Kosovës.

Në kuadër të kësaj ore, shkollat janë ftuar të kujtojnë dëshmorët dhe martirët e Kosovës, veteranët e luftës, familjet e të rënëve, personat e zhdukur, të zhvendosurit dhe qytetarët që përjetuan pasojat e luftës.

Në njoftimin e Ferizajt përmenden edhe drejtuesit dhe figurat e UÇK-së, të cilët aktualisht po përballen me proces gjyqësor në Hagë.

“Një vend i veçantë në këtë kujtesë u takon edhe drejtuesve dhe figurave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët aktualisht po përballen me një proces gjyqësor në Hagë”, thuhet në njoftim.

Ndërkohë, edhe Komuna e Obiliqit ka bërë të ditur se ora e parë mësimore do t’i kushtohet historisë së sakrificës dhe luftës për lirinë e Kosovës.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Halil Thaçi, u ka bërë thirrje mësimdhënësve që këtë orë ta shfrytëzojnë për t’ua përcjellë nxënësve historinë e sakrificës së brezave që kontribuuan për lirinë e vendit.

Thaçi ka bërë të ditur se kjo orë synon që nxënësit të njihen me historinë dhe sakrificën për lirinë e Kosovës, duke vënë theksin te vlerat e lirisë, paqes, dinjitetit dhe përgjegjësisë qytetare.

“Për t’ua përcjellë nxënësve tanë historinë e sakrificës së brezave që punuan, u përballën me padrejtësi dhe dhanë edhe jetën për lirinë tonë. Në veçanti, le të kujtojmë Luftën e fundit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), sakrificën e dëshmorëve, të veteranëve, të familjeve të tyre dhe të të gjithë atyre që kontribuuan që fëmijët tanë sot të mësojnë të lirë. Fëmijët tanë duhet ta dinë se liria nuk erdhi vetvetiu. Ajo u pagua me mund, me vuajtje dhe me jetë.”, thuhet në njoftim.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT