Mbi 20 mijë njehsorë inteligjentë janë instaluar në amvisëri dhe biznese në veri të Kosovës.
Projekti është realizuar nga kompania serbe “Elektrosever” në bashkëpunim me KEDS-in, ndërsa është financuar nga Bashkimi Evropian me 3.3 milionë euro.
Përfundimi i projektit është shënuar sot në Mitrovicën e Veriut.
Sipas Zyrës së BE-së në Kosovë, instalimi i njehsorëve është bërë gjatë viteve 2025 dhe 2026.
Pajisjet e reja mundësojnë matje më të saktë të konsumit dhe faturim më të saktë të energjisë elektrike. Ato synojnë gjithashtu të përmirësojnë monitorimin e konsumit.
Projekti lidhet me zbatimin e Udhërrëfyesit për Marrëveshjet e Energjisë, të dakorduar nga Kosova dhe Serbia në vitin 2022, në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Ky proces synon të adresojë çështjet e furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike në katër komunat veriore.
Nga BE-ja kanë thënë se projekti tregon se marrëveshjet e Dialogut mund të kthehen në zgjidhje konkrete në terren.
“Bashkimi Evropian mbetet i përkushtuar për të mbështetur zbatimin e marrëveshjeve të Dialogut dhe zgjidhjet praktike që u sjellin përfitime qytetarëve”, thuhet në njoftim.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


