Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, Departamenti i Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka sekuestruar nëntë automjete të cilat dyshohet se janë përfituar përmes veprës penale “Mashtrimi kompjuterik”.
Automjetet e sekuestruara, sipas Prokurorisë, janë të markave të ndryshme, përkatësisht: tri vetura të tipit “Seat Leon”, dy “Volkswagen Polo”, një “Golf 8”, një “Audi A6”, një “Volkswagen Jetta” dhe një “Peugeot 2008 Allure”, raporton Klankosova.tv.
Prokurori i Shtetit ka lëshuar urdhër për ndalim të përkohshëm të kësaj pasurie, me qëllim sigurimin e saj deri në përfundim të procedurës penale.
Gjatë ditës së djeshme, Prokuroria Themelore njoftoi se, në vazhdën e hetimeve intensive lidhur me rastin për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Kibernetike, dhe në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet gjermane, është mundësuar identifikimi dhe sekuestrimi i pasurisë që dyshohet se është përfituar përmes veprimtarive kriminale.
“Si rezultat i hetimeve të zhvilluara nga Prokurori i Shtetit, pasuria e sekuestruar, në vlerë rreth 100.000 (njëqind mijë) euro, dyshohet se buron nga veprimtaria e kundërligjshme e të dyshuarve. Po ashtu, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është lëshuar urdhër ndalues për këtë pasuri, për të cilin janë njoftuar edhe bankat komerciale në Kosovë”, ka njoftuar të martën Prokuroria.


