Tuesday, September 8, 2026
spot_img
HomeLajmeAleanca nuk merr pjesë në vazhdimin e seancës konstituive: Kosova është plotësisht...

Aleanca nuk merr pjesë në vazhdimin e seancës konstituive: Kosova është plotësisht jashtë normës kushtetuese

Aleanca nuk do të marrë pjesë në seancën e nesërme të Kuvendit të Kosovës. Vendimi është marrë pas mbledhjes së Kryesisë së partisë dhe është konfirmuar nga kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, i cili tha se shumica dërrmuese e deputetëve dhe anëtarëve të Kryesisë kanë mbështetur bojkotimin e seancës.

Sipas Gjinit, Aleanca nuk dëshiron të marrë pjesë në një seancë që, sipas tij, do të legjitimonte shkeljen e vazhdueshme të Kushtetutës nga partia fituese e zgjedhjeve.

“Dua me ju treguar që sot Aleanca ka konfirmuar vullnetin e shumicës dërrmuese të deputetëve, të anëtarëve të kryesisë që nesër mos me marrë pjesë edhe mos me e legjitimuar shkeljen e vazhdueshme dhe brutale të Kushtetutës së Kosovës nga partia që ka fituar zgjedhjet, e cila ka dalë”, tha ai.

Gjini tha se Kosova aktualisht ndodhet jashtë asaj që ai e konsideron si normë kushtetuese, duke iu referuar afateve për konstituimin e institucioneve pas zgjedhjeve.

“Kosova sot është plotësisht jashtë normës kushtetuese. Ne e dimë që edhe pas tridhjetë ditëshit të parë pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve, kemi qenë në të njëjtë, e kemi toleruar një interpretim politik të Kushtetutës nga vetë partia fituese, duke i dhënë vetes një tridhjetë ditësh tjetër prej atij tridhjetë ditëshit që ekziston bazë në interpretim të Kushtetutës nga ana e Gjykatës Kushtetuese”, u shpreh Gjini.

Kryetari i Aleancës kritikoi edhe mënyrën e thirrjes së seancave të Kuvendit gjatë kësaj periudhe, duke thënë se dy prej tyre janë thirrur në ditët e fundit të afatit të dytë, ndërsa seanca e fundit është thirrur katër ditë pas skadimit të tij.

“E kemi parë që dy herë seanca është thirrur midis ditëve të fundit të skadimit të atij tridhjetë ditëshi, ndërsa këtë thirrjen e fundit, të cilën e kanë bërë katër ditë pas skadimit edhe të interpretimit të vetë politik, e shohim si fyerje ndaj Kosovës, fyerje ndaj qytetarëve, fyerje ndaj shtetit tonë edhe ndaj Kushtetutës edhe ndaj deputetëve.”

Gjini e cilësoi situatën si sjellje të papërgjegjshme, duke akuzuar për përpjekje për t’i vendosur institucionet mbi ligjin dhe Kushtetutën.

“Po mendojmë që është sjellje totalisht e papërgjegjshme edhe e tregon karakterin e njerëzve të cilët duan me çdo kusht, jo vetëm me treguar që janë mbi ligjin edhe mbi Kushtetutën, por edhe me u tallë me institucionet e Kosovës”, tha tutje ai.

Ai tha se Aleanca kishte qenë e gatshme të merrte pjesë në seancë nëse ajo do të thirrej deri të shtunën, kur, sipas tij, kishte skaduar afati i dytë prej 30 ditësh.

“Dua me ju thënë që Aleanca ka qenë e gatshme me marrë pjesë në seancë sikur të thirrej deri të shtunën, kur edhe ka skaduar tridhjetë ditëshi i dytë. Kur e kemi kuptuar që nuk është thirrur as të shtunën, ne mendojmë që duhet me i dhënë një mesazh, duhet me treguar që nuk pranojmë me u fy kështu si institucion”, u shpreh ai.

Në fund, Gjini tha se vendimi për të mos marrë pjesë në seancën e nesërme është një mesazh për institucionet dhe qytetarët, ndërsa paralajmëroi se Aleanca do të kërkojë adresimin e situatës në Gjykatën Kushtetuese në koordinim me partitë e tjera opozitare.

“Mendojmë që po fyehet Kuvendi, po fyehen deputetët, po fyehet Kosova, po fyehen qytetarët e Kosovës. Edhe një herë, në këtë seancë nuk do të marrim pjesë. Ajo që e pret Kosovën është patjetër një referendum në Gjykatën Kushtetuese, të cilën duhet me e dakorduar me dy parti të tjera, të cilat, po i themi, që ende janë në opozitë. Nuk duhet të jemi gjallë në opozitë, ne nuk do të jemi, as parti të tjera nuk do të jemi, por deri sot janë në opozitë. Duhet të dakordohemi me ta edhe t’i referohemi Gjykatës Kushtetuese, për shkak se nuk kemi rrugë tjetër sot përpos kësaj komunikim”, tha Gjini.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT