Në Prishtinë është zhvilluar dje “Marshi për Liri”, në mbështetje të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po gjykohen në Hagë. Aktgjykimi përfundimtar ndaj tyre pritet të shpallet më 16 shtator.
Në marsh morën pjesë përfaqësues të partive politike nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, veteranë të luftës, familjarë të ish-krerëve të UÇK-së dhe familjarë të dëshmorëve.
Gjatë tubimit u kërkua drejtësi dhe kthimi i ish-krerëve të UÇK-së në Kosovë. Përfaqësuesi i Platformës “Liria ka Emër”, Ismail Tasholli, tha se pjesëmarrësit, në mënyrë simbolike, i shpallën të pafajshëm çlirimtarët.
Marshi u mbështet edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.
“Farsa është në ditët e fundit dhe gjithçka pret njeriu nga autorët e saj, por siç e ka thënë vetë Hashimi, lirinë nuk ia merr dot askush, askund, e ashtu siç Kosova triumfoi duke besuar te liria edhe kur s’kishte askënd e asgjë përpos etjes së vet për liri, ashtu do të triumfojë edhe Hashim Thaçi me forcën e të vërtetës së tij, të cilën vitet e burgut veç e kanë bërë më të madhe bashkë me mbështetjen e krejt shqiptarisë”, shkroi Rama.
Ndërsa reagime pati edhe nga Richard Grenell: “Thaçi ka 6 vjet që ndodhet në burg! – që nga momenti kur Jack Smith arrestoi presidentin në detyrë të Kosovës, ndërsa ai po udhëtonte drejt Uashingtonit për t’u takuar me mua lidhur me negociatat përfundimtare me Presidentin Trump për marrëveshjen e Zyrës Ovale për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha çështjet e Jack Smith-it në Amerikë kanë dështuar. Kjo çështje në Evropë është e fundit që ai ka në dorë”, shkroi Grenell.
Dhe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka reaguar duke thënë se: “Para 15 ditësh mora informacion se ai do të dënohej me një masë që mbulon kohën e paraburgimit, këtë e mora nga shërbimet tona inteligjente. Tani, kur isha në Paris dhe bisedoja me disa liderë evropianë e botërorë, mora disa sinjale të ndryshme. Pas katër ditësh do të shohim se kush ka të drejtë”, u deklarua Vuçiq.
Vendimi përfundimtar ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së pritet të shpallet më 16 shtator, pas më shumë se tre vjetësh nga nisja e gjykimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


