Një studim i kryer me më shumë se 11 mijë persona ka gjetur se ekspozimi ndaj dritës gjatë natës mund të lidhet me ndryshime të hershme në strukturën dhe funksionimin e zemrës.
Pjesëmarrësit, të cilët në fillim nuk kishin sëmundje kardiovaskulare, mbajtën për shtatë ditë pajisje që regjistronin aktivitetin dhe ekspozimin ndaj dritës. Rreth tre vjet më vonë, studiuesit analizuan zemrën e tyre përmes rezonancës magnetike.
Te personat që ekspozoheshin më shumë ndaj dritës gjatë natës u vunë re ndryshime në muskulin e zemrës, përfshirë masë më të madhe të muskulit të barkushes së majtë, trashje të murit dhe kontraktim më pak efikas. Ndryshime u vërejtën edhe në pjesë të tjera të zemrës.
Studiuesit theksojnë se ndryshimet ishin të vogla dhe subklinike, pra nuk nënkuptonin domosdoshmërisht praninë e simptomave apo sëmundjes së zemrës.
Sipas studimit, edhe nivele shumë të ulëta të ndriçimit gjatë natës, si drita nga telefoni, ora digjitale, televizori apo ndriçimi i rrugës, mund të ndikojnë në ritmin cirkadian dhe cilësinë e gjumit.
Megjithatë, studimi është vëzhgues dhe nuk dëshmon se drita gjatë natës i shkakton drejtpërdrejt këto ndryshime në zemër.
Ekspertët rekomandojnë që dhoma të mbahet sa më e errët gjatë gjumit, pajisjet me ekrane të mbahen larg shtratit dhe, kur është e nevojshme, të përdoren perde të errëta ose maska për gjumë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


