Kombëtarja shqiptare nis të hënën përgatitjet për edicionin e ri të UEFA Nations League, ku kuqezinjtë do të përballen me Bjellorusinë, Finlandën dhe San Marinon.
Për këtë kompeticion, që këtë herë do të zhvillohet me katër ndeshje në periudhën 26 shtator–6 tetor, trajneri Rolando Maran ka shpallur listën me 29 lojtarë të grumbulluar.
Në konferencën për media në “Shtëpinë e Futbollit”, tekniku italian foli për zgjedhjet e tij, mungesat, rikthimet dhe objektivat e skuadrës. Në listë bie në sy rikthimi i portierit Etrit Berisha, ndërsa risi janë Samuele Sina dhe Sabah Kerjota.
Maran shpjegoi se zgjedhjet janë bërë mbi bazën e formës së lojtarëve dhe paraqitjeve të tyre në javët e fundit. Për mungesën e Armando Brojës dhe Ylber Ramadanit, ai tha se ka vlerësuar gjendjen aktuale të tyre, duke theksuar se dera e Kombëtares mbetet e hapur.
Sa i përket Berishës, trajneri italian vlerësoi eksperiencën dhe formën e portierit, duke deklaruar se ai është ndër portierët më të aftë të Shqipërisë. Maran theksoi se konkurrenca për vendin e titullarit do të vendoset në bazë të paraqitjeve dhe gjendjes së secilit lojtar.
Në lidhje me lojtarët e rinj, trajneri tha se dëshiron të zgjerojë grupin dhe t’u japë mundësi futbollistëve që kanë spikatur, por njëkohësisht duhet të ruhet objektivi i rezultateve.
Maran foli edhe për lojtarët e kampionatit shqiptar, duke pranuar se disa prej tyre mund të jenë pjesë e grumbullimeve të ardhshme.
Për sfidat e Nations League, trajneri kërkoi nga skuadra një qasje agresive dhe përkushtim maksimal në fushë.
“Dua të shoh një Shqipëri që lufton dhe që hyn në fushë për të bërë ndeshjen më të mirë dhe për të qenë më të mirë se kundërshtarët”, u shpreh Maran.
Në fokus është edhe ndeshja e parë ndaj Bjellorusisë, ndërsa trajneri pranoi se skuadra mund të ndryshojë mënyrën e lojës në varësi të kundërshtarit dhe lojtarëve të disponueshëm.
Sa i përket objektivit në këtë edicion të Nations League, Maran ishte i qartë: “Objektivi ynë është vendi i parë në grup. Me lojtarët që kemi mund ta bëjmë dhe i kemi të gjitha kartat në dorë për t’ia arritur.”
Shqipëria do të kërkojë kështu ta nisë me rezultate pozitive një tjetër aventurë në Nations League, me synimin për të përfunduar në krye të grupit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


