Wednesday, September 30, 2026
spot_img
HomeLajmeLirohet i dënuari me vdekje në SHBA, priti 4 dekada ekzekutimin –...

Lirohet i dënuari me vdekje në SHBA, priti 4 dekada ekzekutimin – ADN-ja e nxjerr të pafajshëm

Një 71-vjeçar nga Çikago, i cili kaloi 41 vjet në burg në pritje të ekzekutimit për një vrasje, është liruar me kusht në Utah, pasi analizat e reja të ADN-së nuk e lidhin atë me krimin.

Douglas Stewart Carter ishte dënuar me vdekje për vrasjen e Eva Olesen në vitin 1985. Olesen, e cila në atë kohë ishte tezja e një shefi policie, u gjet e vrarë në shtëpinë e saj në Provo të Utah-s. Ajo ishte goditur disa herë me thikë dhe ishte qëlluar në kokë.

Në atë kohë, policia dyshoi për Carterin, i cili më vonë u arrestua në Tenesi.

Pavarësisht mungesës së provave fizike që e lidhnin me vendin e krimit, Carter u dënua me vdekje, kryesisht mbi bazën e rrëfimit dhe dëshmive të dy personave.

Megjithatë, vite më vonë, të dy dëshmitarët ndryshuan versionet e tyre. Ata deklaruan se policia i kishte kërcënuar, u kishte dhënë para dhe dhurata dhe u kishte kërkuar të dëshmonin kundër Carterit.

Gjykata Supreme e Utahut urdhëroi zhvillimin e një gjyqi të ri, ndërsa avokatët e Carterit ngritën dyshime edhe për mënyrën se si ishte hetuar rasti.

Provat më të reja që kanë ndikuar në zhvillimet e rastit lidhen me analizat e ADN-së. Materiali gjenetik i gjetur në dorezën e derës dhe në dorezën e thikës nuk përputhej me ADN-në e Carterit.

Pas këtyre zhvillimeve, Carter është liruar me kusht dhe do të duhet të mbajë një monitor GPS.

Familja e viktimës ka kundërshtuar lirimin e tij, ndërsa mbrojtja ka kërkuar që çështja të rrëzohet, duke argumentuar se Carter rrezikoi të ekzekutohej për një krim që mund të mos e ketë kryer.

Carter do të qëndrojë në një hotel me qëndrim të zgjatur dhe do të ketë nevojë për terapi për t’u përballur me pasojat e 41 viteve të kaluara në burg.

Një rigjykim dy-mujor ishte planifikuar për vitin e ardhshëm, por javën e kaluar prokurorët e qarkut tërhoqën njoftimin përmes të cilit kishin bërë të ditur se synonin të kërkonin sërish dënimin me vdekje.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT