Një person është plagosur me armë zjarri të martën pasdite në Miradi të Poshtme të Fushë Kosovës, ndërsa Policia është vënë në kërkim të të dyshuarit për rastin, Ekrem Bulliqit.
Sinjali ka siguruar identitetin e personit të plagosur. Bëhet fjalë për Xhelal Hoxhën, 38-vjeçar, i cili dyshohet se është qëlluar disa herë me armë zjarri dhe ka marrë plagë në këmbën e djathtë.
Pas incidentit, Hoxha ka kërkuar ndihmë mjekësore në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ku është trajtuar në Emergjencë dhe më pas është lëshuar nën përcjelljen e Policisë.
Naser Syla, shef i Emergjencës në QKUK, ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se pacienti është trajtuar pas plagëve të marra nga arma e zjarrit.
“Një pacient me plagë nga arma e zjarrit është trajtu në QE dhe pas konsultave të kryera, është lëshu në përcjellje të policisë.”, tha ai.
Sipas burimeve të Sinjalit, Hoxha është jashtë rrezikut për jetë dhe pas trajtimit është liruar për në shtëpi.
Ndërkohë, për rastin dyshohet Ekrem Bulliqi, i cili pas incidentit është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ende ndodhet në arrati.
Njësitë policore kanë kryer kërkime dhe bastisje në adresën e Bulliqit në Prishtinë, por i dyshuari nuk është gjetur.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur tri gëzhoja të kalibrit 9×19 mm.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


