Pronari i kompanisë “Delta Group”, Vesel Jusaj, është dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë me katër vjet e gjashtë muaj burgim dhe 24 mijë euro gjobë, lidhur me rastin e vdekjes së Visar Muriqit nga shpërthimi i një cisterne në hapësirat e këtij biznesi.
Ngjarja kishte ndodhur më 11 tetor 2024, në rrugën “Tahir Zemaj” në Pejë. Muriqi kishte humbur jetën si pasojë e shpërthimit, ndërsa rasti kishte nxitur hetime për sigurinë në vendin e punës.
Gazeta Sinjali kishte raportuar që ditën e ngjarjes për shpërthimin dhe identitetin e viktimës. Policia kishte konfirmuar se ishte njoftuar rreth orës 09:14, ndërsa në vendngjarje kishin dalë njësitet policore, zjarrfikësit dhe kryeprokurori. Vdekjen e një personi e kishte konfirmuar edhe Prokuroria e Pejës.
Më 23 tetor 2024, Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht për arrestimin e Jusajt, pas hetimeve të zhvilluara nga Njësia e Hetimeve Rajonale në Pejë.
Në atë fazë, ai dyshohej për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, ishte dërguar në mbajtje.
Më pas, Gjykata Themelore në Pejë i kishte caktuar një muaj paraburgim. Në përgjigjen dhënë Sinjalit, gjykata kishte konfirmuar se masa llogaritej nga 23 tetori 2024, sipas aktvendimit me shenjën DP.PP.nr.548/24.


