Monday, September 21, 2026
spot_img
HomeLajmeÇfarë parasheh nisma e PDK-së për ndryshime në ligjin për Specialen?

Çfarë parasheh nisma e PDK-së për ndryshime në ligjin për Specialen?

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Bedri Hamza, ka bërë të ditur të hënën se grupi parlamentar i kësaj partie ka proceduar në Kuvendin e Kosovës projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e ligjit për Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë. Aleanca ka deklaruar se e mbështet nismën, ndërkaq nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka një qëndrim zyrtar.

Hamza, gjatë një konference për media në objektin e Kuvendit tha se nisma vjen pas protestave të ditëve të fundit kundër aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në dokumentin e ndryshimeve të propozuara, të cilën e ka parë Radio Evropa e Lirë, kërkohet ndër të tjera, që dënimet më të larta që mund të shqiptohen të jenë 15 vjet burgim dhe që të dënuarit të mund të jenë subjekt i faljes presidenciale.

Ndryshimet e propozuara

Sipas dokumentit për ndryshimet e propozuara në ligjin për Specialen argumentohet se nevoja e ndërhyrjeve në ligj vjen pas vendimit të 16 shtatorit ku UÇK-ja “u kualifikua si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’”.

“Një përcaktim i tillë prodhon pasoja të rënda kushtetuese, historike dhe politike për shtetësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, thuhet në dokument.

Sipas dokumentit, Gjykata Speciale u themelua me mendimin se një trup gjykues do të trajtonte pretendimet specifike të përgjegjësisë penale individuale. Por, aty argumentohet se gjetjet thelbësore të trupit gjykues në vendimin e 16 shtatorit, këto gjetje janë në kundërshtim me deklaratën e dhënë nga kreu i trupit gjykues se rasti nuk ka të bëjë me “legjitimitetin e UÇK-së dhe qëllimin e saj për një Kosovë të pavarur”.

Fillimisht kërkohet që në nenin 1 të ngushtohet mandati ligjor i Gjykatës Speciale vetëm “në veprat penale specifike të përcaktuara në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës” të 7 janarit 2011. Ky ndryshim thuhet se synon “degradimin institucional” të gjykatës në një gjykatë “të jashtëzakonshme kundërkushtetuese” dhe synon krijimin e një mekanizmi ligjor për “transferimin e detyrueshëm të procedurave jashtë kompetencës së Gjykatës Speciale, dosjeve të lëndëve, provave dhe personave të ndaluar te sistemi i rregullt gjyqësor i Kosovës”.

Po ashtu, kërkohet që të ndryshohet edhe neni që ka të bëjë me dënimet maksimale që mund të shqiptohen nga Gjykata Speciale, duke e kufizuar në 15 vjet burgim.

Ky kufizim zbatohet në përputhje me parimin e ligjit më të favorshëm [lex mitior], sipas të cilit ndaj personit të dënuar zbatohet ligji penal që është më i favorshëm për të”, thuhet në dokumentin që e ka parë Radio Evropa e Lirë.

Dënimet, ndërkaq, sipas ndryshimeve, kërkohet që të vuhen në institucionet korrektuese të Kosovës.

Në dokument kërkohet që personat e dënuar nga Gjykata Speciale me vendim të formës së prerë të kenë mundësinë të jenë subjekt i faljes nga presidenti i Kosovës.

Ligji për Faljen nuk i përmend shprehimisht krimet e luftës, por përjashton nga falja personat e dënuar për vepra kundër së drejtës ndërkombëtare. Në këtë kategori, sipas Kodit Penal, përfshihen edhe krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidi.

Dokumenti kërkon që neni 2 të ndryshojë nenin 6 të ligjit aktual, duke kufizuar që lëndët që trajtohen nga gjykata të kenë të bëjnë “ekskluzivisht dhe drejtpërdrejt në nxjerrjen, heqjen dhe trafikimin e paligjshëm të organeve, indeve ose qelizave njerëzore të pretenduara shprehimisht në Raportin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës” ose në vrasjet e paligjshme, torturë, trajtim mizor dhe çnjerëzor të kryera “në vende specifike ndalimi të emërtuara shprehimisht në atë raport, me kusht që këto veprime të jenë kryer në funksion të drejtpërdrejtë të operacioneve të marrjes së organeve”.

Në dokument kërkohet që të hiqet pjesa ku Gjykatës i jepet e drejta të ndjekë krimet e përgjithshme të luftës, krimet kundër njerëzimit ose dhunën politike, që siç thuhet, nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me trafikim të organeve.

Një prej ndryshimeve që kërkohet të bëhet në ligj është edhe koha e hetimeve që mbulon Gjykata Speciale. Në të kërkohet që të jetë nga 1 korriku 1999 deri më 31 dhjetor 2000 – teksa në ligjin aktual periudha e hetimeve të krimeve të pretenduara të kryera nga ish-anëtarët e UÇK-së është nga janari 1998 deri në dhjetor 2000.

Po ashtu, kërkohen ndryshimet edhe sa i përket juridiksionit territorial, duke e kufizuar në veprat që mund të jenë kryer brenda territorit të Kosovës. Zyra e Prokurorit të Specializuar ka hetuar dhe për krime që pretendohet se janë kryer edhe në veri të Shqipërisë.

Ndryshimet parashohin edhe procedura të përshpejtuara për verifikimin e juridiksionit dhe kërkohet që palët të mund të bëjnë ankesë në Gjykatën Supreme të Kosovës në Prishtinë.

Po ashtu kërkohet që gjykimet e pushuara dhe aktakuzat e konfirmuara të transferohen në Departamentin Special të Gjykatës Themelore, të Apelit dhe Supremes në Prishtinë, ndërkaq hetimet dhe dosjet paraprake të transferohen në Prokurorinë Speciale të Kosovës në Prishtinë.

Ndryshimet e propozuara po ashtu kërkojnë që me procedurat administrative të transferimit të lëndëve dhe materialeve pas pushimit të procedurave për shkak të mungesës së juridiksionit të merren institucionet vendore të drejtësisë.

Përmes ndryshimeve thuhet se synohet rregullimi i transferimit fizik të personave të privuar nga liria në Kosovë. Personi i ndaluar, thuhet në dokument, duhet që brenda 48 orëve të dalë para një gjykatësi në Kosovë, i cili më pas do të vlerësojë masën e sigurisë, sipas ligjit vendor.

Po ashtu kërkohet që trupat gjykues dhe panelet duhet të kryejnë një rishqyrtim të juridiksionit për çdo çështje brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e ligjit.

“Kur aktakuzat përmbajnë akuza të përziera, procedura ndahet dhe transferohet vetëm pjesa që bie jashtë juridiksionit, ndërsa çdo vendim jo i formës së prerë që trajton akuza jashtë juridiksionit të rishikuar anulohet në atë pjesë”, thuhet ndër të tjera në dokument.

Çfarë tha Hamza gjatë konferencës për media?

Hamza, i shoqëruar nga deputetë të PDK-së, gjatë konferencës për media sqaroi se nisma nuk synon mbylljen e Gjykatës Speciale apo pengimin e hetimit të rasteve për të cilat ajo është krijuar, përfshirë pretendimet për trafikim organesh, por ndryshimin e ligjit për të përcaktuar më qartë kufijtë e mandatit dhe kompetencave të saj.

“Projektligji përcakton se, kur një rast nuk hyn në këtë juridiksion, ai transferohet në Kosovë, së bashku me dosjen, provat dhe materialin e tij. Pra, drejtësia vazhdon, por vazhdon aty ku duhet të vazhdojë”, tha ai.

Sipas tij, një akuzë do të duhej të kishte lidhje konkrete dhe të drejtpërdrejtë me pretendimet për të cilat janë krijuar Dhomat e Specializuara dhe jo të përfshihej në juridiksionin e tyre vetëm për shkak të një lidhjeje të përgjithshme me luftën ose UÇK-në.

Për rastet që aktualisht janë në proces, Hamza tha se projektligji parasheh që procedurat të vazhdojnë në Apel sipas strukturës ekzistuese të Dhomave të Specializuara. Në rast se Apeli urdhëron rigjykim, sipas tij, ai do të zhvillohej sipas juridiksionit të ri dhe, kur të plotësohen kushtet, rasti do të transferohej në Kosovë.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, ka kërkuar qasje të përbashkët dhe koordinim mes institucioneve pas aktgjykimit dënues ndaj katërshes së UÇK-së.

“Në këto momente të rënda edhe për qytetarët nuk na duhen përçarjet, nxitjet e urrejtjes, akuzat se kush qenka spiun, e kush tradhtar. Ajo çka na duhet është që t’i lëmë anash ato dhe të koordinojmë veprimet se çfarë duhet bërë tutje”, tha ajo për transmetuesin publik të Kosovës.

Gjykata Speciale heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të kryera ndaj pakicave etnike dhe rivalëve politikë, të cilat përmenden në raportin e Këshillit të Evropës në vitin 2011, autor i të cilit ishte senatori zviceran Dick Marty.

Ky institucion gjyqësor ka mandat për krimet e pretenduara ndaj njerëzimit, për krimet e luftës dhe veprat tjera penale që ndërlidhen me pretendimet nga raporti i Dick Martyt, e të cilat pretendohet që janë kryer në periudhën prej janarit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.

Pas njoftimit të PDK-së, Ehat Miftaraj, drejtor i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), tha për Radion Evropa e Lirë se nisma e kësaj partie mund të ketë ndikim edhe në rastet që aktualisht janë duke u zhvilluar në Hagë, nëse ndryshimet prekin dispozita penale.

Sipas tij, nëse ligji i ri do të parashihte dënime më të ulëta ose dispozita të tjera më të favorshme për të akuzuarit, atëherë mund të kërkohej që këto dispozita të zbatoheshin edhe në rastet aktuale, në përputhje me parimin e ligjit më të favorshëm për të pandehurin.

“Zbatimi i ligjit më të favorshëm është standard themelor i së drejtës penale dhe i të drejtave të njeriut dhe kjo mund të iniciohet për vlerësim të ligjshmërisë nga Zyra e Avokatit të Popullit në Hagë”, tha ai.

Miftaraj tha se një nismë e tillë potencialisht mund të dërgohej për shqyrtim pranë Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në Hagë, por jo në Gjykatën Kushtetuese në Kosovë.

“Me 26 nëntor 2020, kjo Dhomë përmes aktgjykimit kishte konstatuar se kishte juridiksion ekskluziv për vlerësimin e amendamenteve, sepse ato kishin të bënin me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, shtoi ai.

Gjatë konferencës për media, Hamza tha se projektligji parasheh edhe mundësinë që organizata ndërkombëtare profesionale dhe të pavarura të monitorojnë punën e Gjykatës Speciale, përfshirë respektimin e të drejtave të të akuzuarve, standardet e gjykimit të drejtë, kushtet e paraburgimit dhe kohëzgjatjen e proceseve. Këto organizata do të raportonin para Kuvendit dhe publikut.

Ai tha se PDK-ja ka diskutuar për këtë nismë me drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës dhe u bëri thirrje këtyre subjekteve që ta mbështesin projektligjin.

Ndërkohë, Aleanca ka deklaruar se mbështet “çdo iniciativë ligjore dhe demokratike” që synon vendosjen e drejtësisë në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.

Me 22 deputetët e saj, PDK-së i duhen edhe 18 nënshkrime të deputetëve nga grupet e tjera parlamentare për të siguruar 40 nënshkrimet e nevojshme për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme. Aleanca ka 7 deputetë.

Nisma e PDK-së vjen në ditën e gjashtë të protestave në Prishtinë kundër aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Në një postim të hënën, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, kërkoi që Kuvendi të mblidhet urgjentisht dhe të miratojë një rezolutë të re për angazhimin shtetëror të Kosovës gjatë procesit të apelit.

“Kuvendi i Kosovës dhe Qeveria duhet të kenë qëndrim institucional ndaj këtij aktgjykimi, i cili është i shkallës së parë dhe, rrjedhimisht, nuk është përfundimtar”, shkroi Hoti.

Ai kërkoi gjithashtu që Kuvendi t’i kërkojë Qeverisë “mobilizim të plotë diplomatik” me aleatët ndërkombëtarë, me qëllim që procesi i shqyrtimit në shkallën e dytë, sipas tij, të jetë gjithëpërfshirës dhe të respektojë standardet e drejtësisë.

Protestat janë mbajtur çdo natë që prej shpalljes së aktgjykimit ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit më 16 shtator. Në to janë parë rregullisht edhe deputetë të PDK-së dhe përfaqësues të tjerë politikë.

Organizatorët kanë paraqitur katër kërkesa drejtuar Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës: shfuqizimin ose ndryshimin e ligjit për Dhomat e Specializuara; shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla; mbështetje të pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së; si dhe angazhimin e ekspertëve ndërkombëtarë për mbrojtjen e tyre.

Gërvalla është kritikuar nga organizatorët e protestave për mungesë reagimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara i dënuan Thaçin dhe Krasniqin me nga 25 vjet burgim, Veselin me 18 vjet dhe Selimin me 13 vjet. Ata u shpallën fajtorë për disa krime lufte, ndërsa u shpallën të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.

Të katër ish-krerët e UÇK-së kanë mohuar akuzat dhe kanë paralajmëruar se do ta apelojnë aktgjykimin./ Radio Evropa e Lirë

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT