Saturday, September 26, 2026
spot_img
HomeLajmeKurti kërkon mbështetjen e Danimarkës për statusin kandidat të Kosovës në BE

Kurti kërkon mbështetjen e Danimarkës për statusin kandidat të Kosovës në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar mbështetjen e Danimarkës për avancimin e statusit të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Këtë kërkesë, Kurti e ka bërë gjatë një takimi lamtumirës me ambasadorin jo rezident të Danimarkës, Christian Grønbech-Jensen, me të cilin ka diskutuar për marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve dhe forcimin e mëtejmë të tyre.

“Duke shprehur mirënjohje ndaj Danimarkës, kërkova mbështetje për të avancuar statusin e aplikimit të Kosovës në shtet kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian”, ka shkruar Kurti.

Ai ka theksuar se Kosova është e përkushtuar edhe ndaj synimit strategjik për anëtarësim në NATO.

“Republika jonë, përveçse e përcaktuar qartë dhe e palëkundur, është e përkushtuar në synimin strategjik për t’u bërë pjesë e NATO-s”, ka shkruar ai.

Kurti ka thënë se e ka falënderuar ambasadorin Grønbech-Jensen për shërbimin dhe kontributin e tij, ndërsa nga diplomati danez ka pranuar urime për Qeverinë dhe mandatin e ri.

Po ashtu, Kurti e ka uruar ambasadorin për marrëveshjen me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Grenlandën, për forcimin e mbrojtjes dhe sigurisë në Arktik dhe Atlantikun e Veriut.

“Krahas drejtësisë, energjisë, arsimit e teknologjisë, biseduam për mënyrat dhe mundësitë konkrete të thellimit të bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, si dhe për rritjen e investimeve daneze në vendin tonë”, ka shkruar Kurti.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT