Thursday, September 17, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | U kapen me 142 kilogramë drogë në fshatin Rimanishtë Prishtinë–...

LEX | U kapen me 142 kilogramë drogë në fshatin Rimanishtë Prishtinë– gjashtë persona dënohen me tetë vjet burgim dhe 14 mijë euro gjobë

Gjykata Themelore në Prishtinë,Departamenti për Krime të Rënda Gjyqtarja ka shpallur fajtorë gjashtë persona për përfshirje në prodhimin dhe përpunimin e mbi 142 kilogramëve marihuanë në fshatin Rimanishtë të Prishtinës.

Kastriot Ahmeti, Ermal Syla, Vera Hallulli, Flutura Farici, Mimoza Hoti dhe Sadie Visha Hasanaj janë dënuar, së bashku, me tetë vjet burgim dhe 14 mijë euro gjobë.

Aktgjykimi është marrë nga trupi gjykues i Departamentit për Krime të Rënda, i kryesuar nga gjyqtarja Sulltane Hoti, me anëtarët Alltn Murseli dhe Fatime Dërmaku.

Sipas vendimit të Gjykatës, dënimet janë shqiptuar si vijon:

  • Kastriot Ahmeti – dy vjet e gjashtë muaj burgim dhe 7 mijë euro gjobë;
  • Ermal Syla – dy vjet e gjashtë muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë;
  • Vera Hallulli – nëntë muaj burgim dhe 500 euro gjobë;
  • Flutura Farici – nëntë muaj burgim dhe 500 euro gjobë;
  • Mimoza Hoti – nëntë muaj burgim dhe 500 euro gjobë;
  • Sadie Visha Hasanaj – nëntë muaj burgim dhe 500 euro gjobë.

Katër shtetaset e Shqipërisë, Vera Hallulli, Flutura Farici, Mimoza Hoti dhe Sadie Visha Hasanaj, pas përfundimit të dënimit do të dëbohen nga Kosova dhe për tre vjet nuk do të lejohen të hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës.

Në dënimet e shqiptuara do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 9 shtatori 2025 deri më 4 qershor 2026.

U kapën në flagrancë duke përpunuar marihuanën

Sipas aktgjykimit, veprimtaria ishte zhvilluar nga maji deri më 9 shtator 2025, në një shtëpi në Rimanishtë, e cila i përkiste familjes Syla.

Prokuroria pretendoi se të përfshirët kishin ndarë paraprakisht rolet. Fatmir Dodaj, i cili është dënuar më herët pas marrëveshjes për pranimin e fajësisë, ishte angazhuar të gjente persona që do të merreshin me përpunimin dhe përgatitjen e marihuanës për shitje.

Punëtorëve të sjellë nga Shqipëria u ishte premtuar pagesë prej 50 eurosh në ditë.

Sipas Gjykatës, Kastriot Ahmeti kishte marrë me qira një veturë “Opel Astra” dhe kishte transportuar personat nga pika e takimit deri te shtëpia ku kultivohej dhe përpunohej marihuana.

Policia kishte shkuar në këtë lokacion më 9 shtator 2025, gjatë zbatimit të një urdhri gjyqësor për kërkimin e Ylber Sylës, i cili kërkohej për vepra të tjera penale.

Aty policët kishin hasur në të akuzuarit duke paketuar dhe përgatitur për shitje marihuanën, e cila ishte kultivuar, vjelë dhe tharë në oborrin e shtëpisë dhe në objektet përcjellëse.

Pas sekuestrimit dhe matjes, sasia e marihuanës kishte rezultuar të ishte 142 kilogramë e 374 gramë.

Ekspertiza e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë kishte konfirmuar se substanca e sekuestruar përmbante THC dhe se bëhej fjalë për kanabis.

Të akuzuarat: Mendonim se po vinim për të punuar me sherebelë (Sherebela është bimë mjekësore aromatike, e njohur edhe si sherbelë. Përdoret zakonisht për çaj, kundër dhimbjes së fytit dhe në gatim)

Katër të akuzuarat nga Shqipëria kishin deklaruar se në Kosovë kishin ardhur duke besuar se do të punonin në përpunimin e sherebelës.

Ato pretenduan se, pasi kishin mbërritur në shtëpinë e izoluar, kishin kuptuar se nuk bëhej fjalë për sherebelë, por për bimë narkotike. Sipas tyre, kishin kërkuar të largoheshin, por nuk u ishte mundësuar kthimi në Shqipëri.

Vera Hallulli kishte pranuar se më 8 shtator kishte punuar nga ora 07:00 deri rreth orës 15:30, duke përdorur gërshërë për ndarjen e gjetheve nga degët.

Flutura Farici kishte deklaruar se ishte ndier e frikësuar dhe e detyruar të vazhdonte punën, për shkak se ndodhej në një vend të panjohur dhe nuk kishte mundësi të largohej.

Mimoza Hoti kishte deklaruar se ofertën për punë e kishte marrë nga një grua e prezantuar me pseudonimin “Monda”, e cila i kishte thënë se puna kishte të bënte me kultivimin ose grumbullimin e sherebelës.

Gjykata nuk ua besoi mbrojtjen

Gjykata nuk i ka konsideruar të besueshme pretendimet e të akuzuarve se nuk kishin njohuri për veprimtarinë kriminale.

Sipas aktgjykimit, edhe nëse katër gratë fillimisht kishin ardhur në Kosovë duke menduar se do të punonin me sherebelë, nga deklaratat e tyre rezulton se gjatë punës e kishin kuptuar se bëhej fjalë për substancë narkotike.

Pavarësisht kësaj, ato kishin vazhduar përpunimin e bimës deri në momentin kur kishte ndërhyrë Policia.

Gjykata vlerësoi se kapja në flagrancë, duke kryer veprime konkrete të përpunimit dhe përgatitjes së marihuanës, përjashtonte mundësinë që prania e tyre në atë lokacion të kishte qenë e rastësishme ose pa dijeni.

Edhe mbrojtja e Kastriot Ahmetit, i cili pretendonte se rastësisht e kishte dërguar Mimoza Hotin në atë shtëpi, nuk u pranua nga Gjykata. Përgjegjësia e tij, sipas aktgjykimit, u vërtetua edhe përmes identifikimit nga disa prej bashkë të akuzuarve dhe provave lidhur me transportimin e personave.

Ermal Syla, në anën tjetër, kishte mohuar se kishte dijeni për aktivitetin në pronën familjare, duke pretenduar se shtëpia ishte dhënë me qira dhe se prej rreth dy vjetësh nuk kishte shkuar aty.

Gjykata e hodhi poshtë këtë mbrojtje, duke theksuar se nuk ishte paraqitur asnjë kontratë qiraje ose dëshmi për pagesën e saj. Sipas vendimit, analiza e lëvizjeve të telefonisë mobile dhe rrethanat e tjera tregonin se Syla kishte lidhje të vazhdueshme me pronën.

Gjykata konstatoi se të akuzuarit kishin role të ndryshme, por veprimet e tyre ishin të bashkërenduara dhe të orientuara drejt një qëllimi të përbashkët – përpunimit dhe përgatitjes së marihuanës për shitje.

Katër persona të tjerë pranuan fajësinë

Pjesë e aktakuzës fillestare ishin edhe Fatmir Dodaj, Ylber Syla, Hamza Tahiri dhe Majlinda Xheka.

Ata kishin arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë, të cilat ishin aprovuar nga Gjykata, ndërsa ndaj tyre ishin nxjerrë aktgjykime dënuese në procedurë të veçantë.

Marihuana prej 142 kilogramësh e 374 gramësh është konfiskuar me një aktgjykim të mëhershëm.

Palët kanë të drejtë të paraqesin ankesë në Gjykatën e Apelit brenda 30 ditëve nga pranimi i aktgjykimit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT