Tuesday, September 15, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | “Ose m’i jepni dy banesa, ose do t’ju bëj shoshë”...

LEX | “Ose m’i jepni dy banesa, ose do t’ju bëj shoshë” – dëshmi e fortë për vrasjen te Hotel “Adria”

Fajde, kërkesa për dy banesa, sharje, kërcënime dhe një sulm me thikë që përfundoi me krismë fatale – këto janë detajet që i akuzuari Mustaf Mustafa ka dhënë para trupit gjykues për vrasjen e Rexhep Tahirit pranë Hotel “Adria”, në lagjen Arbëria të Prishtinës.

Mustaf Mustafa, vëllai i të akuzuarit për vrasje, Avni Mustafa, deklaroi se mosmarrëveshja me tani të ndjerin lidhej me fajde dhe banesa.

Sipas versionit të të akuzuarit, ai dhe Avni Mustafa kishin tentuar ta zgjidhnin problemin përmes marrëveshjes ose duke e paraqitur rastin në Polici. Mirëpo, Mustafa pretendoi se tani i ndjeri nuk kishte pranuar një zgjidhje të tillë dhe kishte kërkuar dy banesa.

“Ne kemi dashur ta zgjidhim problemin me marrëveshje ose përmes Policisë, por i ndjeri nuk ka pranuar. Na ka thënë: ‘Ose keni për të m’i dhënë dy banesa, ose do t’ju bëj shoshë’”, deklaroi Mustaf Mustafa.

Ai dëshmoi edhe për sharje, fyerje dhe kërcënime të rënda, duke pretenduar se ishin kërcënuar edhe me prerje koke.

Sipas Mustaf Mustafës, situata kishte eskaluar në momentin kur tani i ndjeri ishte vërsulur ndaj tij dhe vëllait të tij me thikë. Ai pretendoi se sulmi kishte vazhduar pandërprerë dhe se nuk kishin pasur mundësi të largoheshin.

Gjatë marrjes në pyetje, avokati Besnik R. Berisha e pyeti të akuzuarin nëse kishte pasur ndonjë mundësi tjetër për t’iu shmangur sulmit.

“A kishit mundësi të largoheshit kur i ndjeri, me gjithë fuqinë, kërceu drejt jush për t’ju goditur me thikë?”, pyeti avokati Besnik R. BERISHA.

“Nuk kam pasur asnjë mundësi”, u përgjigj Mustaf Mustafa.

I akuzuari deklaroi se sulmi me thikë kishte vazhduar deri në çastin kur ishte dëgjuar krisma, e cila, sipas tij, kishte ndodhur vetëm pasi ai dhe Avni Mustafa ishin therur.

“Sulmi ndaj nesh vazhdoi deri kur u dëgjua krisma. Krisma u dëgjua vetëm pasi i ndjeri na kishte therur me thikë mua dhe Avniun”, deklaroi Mustafa.

I pyetur nga gjyqtari nëse kishte qenë në Hotel “Adria”, Mustaf Mustafa e konfirmoi praninë e tij. Ai e identifikoi gjithashtu veten në fotografitë e paraqitura gjatë seancës gjyqësore.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Avni Mustafa akuzohet se, pas konfliktit që dyshohet se lidhej me fajden, e kishte qëlluar R.T. një herë me revole në pjesën e gjoksit, duke e privuar nga jeta. Ai ngarkohet për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Mustaf Mustafa nuk akuzohet për vrasje. Ai ngarkohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në të njëjtin proces, Leutrim Mustafa akuzohet për “Manipulim me prova”.

Pretendimet për fajden, dy banesat, kërcënimet dhe sulmin me thikë paraqesin versionin e të akuzuarit Mustaf Mustafa. Gjykata pritet t’i vlerësojë ato përballë video-incizimeve, dëshmive, ekspertizave mjekoligjore dhe provave të tjera të administruara gjatë procesit.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT