Kongresisti amerikan Keith Self ka deklaruar se tërheqja e trupave të Shteteve të Bashkuara nga KFOR-i do të përbënte kërcënim të drejtpërdrejtë për paqen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Self, i cili kryeson Nënkomisionin për Evropën në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, tha se prania e forcave amerikane në kuadër të KFOR-it vazhdon të jetë vendimtare për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
“KFOR-i është bastioni aktual i paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të dyja qeveritë e njohin atë si çelës për shmangien e konfliktit”, deklaroi ai, në një takim të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan, transmeton KosovaPress.
Sipas kongresistit republikan, anëtarësimi i Kosovës në NATO është elementi më i rëndësishëm për sigurinë e saj afatgjatë. Deri në arritjen e këtij synimi, ai vlerësoi se misioni i KFOR-it mbetet i pazëvendësueshëm.
Self e cilësoi Kosovën si shtet të pavarur, demokratik dhe partner strategjik të Shteteve të Bashkuara.
Gjatë adresimit të tij para Nënkomisionit për Evropën të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Self u bëri thirrje edhe katër shteteve anëtare të NATO-s që ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës – Greqisë, Rumanisë, Sllovakisë dhe Spanjës – që ta bëjnë një gjë të tillë.
“Është koha që katër vendet anëtare të NATO-s që nuk e njohin Kosovën, ta pranojnë se Kosova është këtu për të qëndruar”, u shpreh kongresisti amerikan.
Ai tha se gjatë vizitës së tyre në rajon, një prej prioriteteve ishte edhe shqyrtimi i të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Self vlerësoi se pengimi i integrimit të Kosovës në NATO përbën pengesën më të madhe për stabilitetin në Ballkan.
Ai theksoi gjithashtu se ruajtja e stabilitetit në Ballkan është thelbësore për suksesin në të ardhmen.
“Pikërisht për këtë, këto vende të Ballkanit duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për ta kthyer faqen e së kaluarës. Kosova është këtu për të qëndruar dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të luajnë një rol kyç në rajon”, tha ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


