Në Gjykatën Themelore Departamenti i Krimeve të Rënda është mbajtur shqyrtimi fillestar ndaj Halil Stubllës, Albion Xhemës, Rafet Xhemës, Feim Gashit dhe Bakir Matoviqit, të akuzuar për veprat penale që lidhen me trafikimin e substancave narkotike dhe armëmbajtjen pa leje.
Rasti lidhet me operacionin policor të koduar “Bregdeti”, për të cilin Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht, duke zbuluar identitetin e personave të arrestuar.
Sinjali kishte raportuar se gjatë operacionit, afër pikëkalimit kufitar në Merdar, ishte ndaluar Halil Stublla, derisa po drejtonte një kamion. Gjatë kontrollit të kamionit dyshohet se ishin gjetur 68 paketime me marihuanë, me peshë të përgjithshme prej 76 kilogramësh e 800 gramësh.
Gjatë bastisjes së pronës së tij, autoritetet kishin sekuestruar një armë zjarri me pesë fishekë, dy vetura, një kamion, një telefon dhe 2 mijë e 950 euro para të gatshme.
Operacioni kishte vazhduar në fshatin Godishnjak të Podujevës, ku ishin bastisur pronat e Rafet dhe Albion Xhemës. Atje ishin gjetur edhe katër paketime me rreth 4 kilogramë e 454 gramë marihuanë, dy vetura, dy telefona, thasë të zbrazët dhe material ngjitës që dyshohet se përdorej për paketimin e narkotikëve. Ishte sekuestruar edhe një armë me gaz.
Në total, gjatë operacionit ishin sekuestruar mbi 81 kilogramë substancë e dyshuar narkotike. Hetimi ishte zhvilluar për disa muaj, përfshirë edhe zbatimin e masave të veçanta hetimore.
Dyshimet për takimin në parkingun e “Valoni Petrol”
Sipas aktakuzës së lexuar në gjykatë, të pandehurit dyshohet se, duke vepruar në bashkëkryerje dhe pa autorizim, kanë transportuar dhe shpërndarë substanca narkotike.
Prokuroria pretendon se një pjesë e veprimeve kishte ndodhur në parkingun e “Valoni Petrol”, ku fillimisht kishte arritur një veturë e bardhë “Golf 7”, në pronësi të Halil Stubllës, pronar i kompanisë së transportit “Endi ES”.
Më pas, në parking pretendohet se kishte mbërritur edhe Feim Gashi me një veturë të zezë të tipit “Passat”. Aty kishte arritur edhe Albion Xhema, i cili më pas kishte hipur në veturën “Golf 7”.
Sipas aktakuzës, në vendin e ngjarjes kishte mbërritur me një tjetër veturë “Golf 7” edhe Bakir Matoviq. Prokuroria pretendon se Albion Xhema kishte marrë disa pako nga njëra veturë dhe i kishte vendosur në ulësen e pasagjerit, pas së cilës veturat ishin larguar nga parkingu.
Halil Stublla pranon fajësinë vetëm për armën
Pas leximit të aktakuzës, të pandehurit deklaruan se i kishin kuptuar akuzat, ndërsa më pas u deklaruan edhe rreth fajësisë.
Halil Stublla e pranoi fajësinë për veprën penale që lidhet me armën, ndërsa për akuzat e tjera u deklarua i pafajshëm.
Albion Xhema nuk e pranoi fajësinë për akuzën sipas nenit 267, paragrafi 2, të Kodit Penal. Mbrojtësi i tij, avokati Naim Rudari, deklaroi se i mbrojturi i tij e pranon transportimin, por jo në formën dhe mënyrën siç është përshkruar nga Prokuroria.
Sipas mbrojtjes, në këtë rast nuk përmbushen elementet e veprës penale të pretenduar sipas nenit 275, paragrafi 1, nënparagrafi 1.9, të Kodit Penal.
Rafet Xhema dhe Bakir Matoviq gjithashtu nuk e pranuan fajësinë, ndërsa Feim Gashi u deklarua plotësisht i pafajshëm.
Gjatë seancës u bë edhe një korrigjim lidhur me shumën që i atribuohet Feim Gashit. U saktësua se bëhet fjalë për 1 mijë e 50 euro dhe jo për 10 mijë e 50 euro.
Procesi gjyqësor do të vazhdojë sipas afateve ligjore. Të akuzuarit konsiderohen të pafajshëm derisa përgjegjësia e tyre të vërtetohet me aktgjykim të formës së prerë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


