Kroacia ka reaguar pas aktgjykimit të shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë ka theksuar se vendimi nuk është përfundimtar dhe se procedura gjyqësore ende nuk ka përfunduar.
Në reagimin zyrtar, Kroacia tha se e merr në dijeni aktgjykimin, por nuk dëshiron të paragjykojë rezultatin përfundimtar të procesit.
“Kroacia merr në dijeni aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ky është një aktgjykim jo përfundimtar dhe ne nuk dëshirojmë të paragjykojmë rezultatin përfundimtar të procedurës”, thuhet në reagim.
Ministria kroate ka folur edhe për kontekstin historik të luftës në Kosovë.
Sipas saj, aktgjykimi nuk e ndryshon faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të kryera nga regjimi i Slobodan Millosheviqit.
“Ky aktgjykim nuk e ndryshon kontekstin historik të luftërave në Kosovë, e as faktin se Kosova dhe popullsia e saj ishin viktima të represionit dhe krimeve të rënda të kryera nga regjimi i Millosheviqit”, thuhet më tej.
Kroacia ka theksuar gjithashtu se përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk duhet të përdoret për të relativizuar krimet e kryera gjatë luftës.
Sipas Ministrisë kroate, ajo nuk duhet të përdoret as për të vënë në pikëpyetje lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
“Përgjegjësia individuale e personave të caktuar nuk mund të shërbejë si bazë për relativizimin e këtyre krimeve, e as për vënien në pikëpyetje të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës”, përfundon reagimi.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


