Britania e Madhe ka reaguar pas vendimeve dënuese të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ministri britanik për Evropën, Lord Wood i Anfieldit, tha se Mbretëria e Bashkuar respekton pavarësinë e Gjykatës dhe procesin e saj gjyqësor.
Ai tha se Britania mbetet e përkushtuar ndaj drejtësisë, llogaridhënies dhe pajtimit në rajon.
Në reagim, Mbretëria e Bashkuar e cilësoi veten si mik dhe partner të afërt të Kosovës. Londra tha se vazhdon të mbështesë sovranitetin, pavarësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.
Britania tha gjithashtu se mbështet paqen në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
“Ne jemi krenarë për rolin që luajtëm, së bashku me aleatët e NATO-s, në parandalimin e një katastrofe humanitare në vitin 1999 dhe në mbështetjen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008”, tha Lord Wood.
Sipas tij, vendimi i sotëm i Dhomave të Specializuara të Kosovës është një moment i rëndësishëm.
Megjithatë, ai theksoi se ky vendim “nuk është një vendim mbi shtetësinë, sovranitetin apo të drejtën e Kosovës për të përcaktuar të ardhmen e saj”.
“Mendimet e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar janë me viktimat dhe familjet e tyre”, tha ministri britanik.
Në reagim thuhet gjithashtu se konstatimet e Gjykatës lidhen me individë dhe nuk duhet të përdoren për të nxitur tensione mes komuniteteve apo në rajon.
Britania u bëri thirrje liderëve politikë dhe figurave publike që të promovojnë qetësinë.
“Çdo reagim” duhet të mbetet paqësor dhe siguria e njerëzve duhet të jetë përparësia kryesore, thuhet në reagim.
Lord Wood tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të punojë me partnerët në rajon dhe më gjerë.
Qëllimi, sipas tij, është mbështetja e paqes, drejtësisë dhe një të ardhmeje të sigurt e të begatë për të gjitha komunitetet.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


