Monday, September 28, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Nga 50% në 15% sigurimi i kontratës – dëshmitari tregon...

LEX | Nga 50% në 15% sigurimi i kontratës – dëshmitari tregon si ndryshuan kushtet pas takimit ku mori pjesë Nagip Krasniqi

Ndryshimi i kushteve të një tenderi të KEK-ut, përfshirë uljen e sigurimit të kontratës nga 50 në 15 për qind, ishte në qendër të dëshmisë në gjykimin ndaj Nagip Krasniqit. Sipas dëshmitarit, tri kushte u ndryshuan pas një takimi me përfaqësuesit e operatorit ekonomik, ku mori pjesë edhe Krasniqi, raporton Sinjali.

Dëshmitari deklaroi se kushtet nuk kishin ndryshuar deri në hapjen e ofertave. Kërkesat për ndryshime, sipas tij, erdhën pas publikimit të njoftimit për vendimin dhe atij për dhënien e kontratës, kur operatorit ekonomik iu dërgua draftkontrata për konfirmim.

Ai tha se KEK-u fillimisht i kishte refuzuar kërkesat e operatorit, duke i kërkuar t’u përmbahej kërkesave dhe kushteve të veçanta të përcaktuara.

Pas refuzimit të operatorit ekonomik për t’i pranuar kushtet, përfaqësuesit e tij u ftuan në një takim në zyrat e KEK-ut për të diskutuar zgjidhjen e çështjes.

Sipas dëshmitarit, në takim ishin të pranishëm ai, drejtori Imer Dragusha, Skender Isufi dhe një përfaqësues i operatorit ekonomik, ndërsa Joniz Sadaqi mori pjesë përmes komunikimit virtual. Më vonë, takimit iu bashkua edhe kryeshefi Nagip Krasniqi.

Dëshmitari tha se takimi u zhvillua në gjuhën angleze. I pyetur nga prokurori se kush e mori rolin udhëheqës pas ardhjes së Krasniqit, ai deklaroi se diskutimet u zhvilluan mes kryeshefit dhe përfaqësuesit të operatorit ekonomik.

Prokurori e pyeti edhe për mundësinë e tij për ta kuptuar përmbajtjen e diskutimeve në anglisht dhe për momentin kur u dakordua ulja e sigurimit të kontratës nga 50 në 15 për qind.

Dëshmitari tha se për këtë ndryshim kishte marrë vesh në atë takim. Sipas tij, u ndryshuan edhe dy kushte të tjera: mbajtja e parave nga zero në 15 për qind dhe norma ditore nga 0.25 në 1 për qind. Këto dy ndryshime ai i cilësoi në favor të KEK-ut.

Sipas dëshmisë, pas takimit u ndryshuan tri kushtet dhe u nënshkrua kontrata.

Prokurori kërkoi të dinte përse, në një tender të hapur, ishte kaluar në negocim me operatorin ekonomik “Ego Term”.

Dëshmitari u përgjigj se mospranimi i kushteve nga ky operator e kishte vendosur KEK-un në një pozitë të vështirë, duke përmendur rëndësinë e projektit dhe diferencën në çmim mes dy ofertave. Sipas tij, oferta e operatorit SBB ishte mbi dy milionë euro më e lartë se ajo e “Ego Term”.

I pyetur përse ishte pranuar kërkesa e “Ego Term” dhe jo ajo e SBB-së, dëshmitari tha se bëhej fjalë për dy kërkesa të ndryshme, të paraqitura në faza të ndryshme të procedurës.

Në pyetjen e prokurorit nëse lejohej ndryshimi i kushteve në atë fazë, dëshmitari deklaroi se një gjë e tillë nuk lejohet në procedurë të hapur. Megjithatë, ai përsëriti se KEK-u ishte gjendur në pozitë të vështirë pas qëndrimit të operatorit.

Ai tha se operatori i kishte pasur të qarta kushtet kur kishte aplikuar, por më pas kishte kërkuar ndryshimin e tyre.

Dëshmitari deklaroi gjithashtu se nuk kishte njohuri të hollësishme teknike për projektin, pasi nuk ishte inxhinier apo profesionist i asaj fushe. Sipas tij, informacionet e përgjithshme dhe zhvillimi i procedurës me afate të përshpejtuara i kishin lënë të kuptonte se projekti ishte i rëndësishëm dhe urgjent për KEK-un.

Ai tha se nuk kishte pasur ankesa lidhur me këtë procedurë. Ndërkaq, si arsye të mundshme për mosanulimin e saj nga menaxhmenti, përmendi rëndësinë e veçantë të projektit për korporatën.

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT