Gazeta Sinjali ka siguruar ekskluzivisht kërkesën e Prokurorisë Speciale për caktimin e paraburgimit ndaj nëntë të arrestuarve për krime lufte kundër popullatës civile në Zubin Potok. Dokumenti përshkruan dyshime për ekzekutimin e 23 civilëve shqiptarë, përpjekje për fshehjen e trupave dhe vrasjen e katër civilëve të tjerë gjatë prillit të vitit 1999.
Sipas kërkesës së datës 28 shtator 2026, nga grupi prej 23 viktimash, 20 ende konsiderohen të zhdukura, ndërsa tri janë identifikuar përmes analizave të ADN-së.
Nëntë të arrestuarit kanë dalë para gjykatës, ndërsa Prokuroria Speciale po kërkon që ndaj tyre të caktohet masa e paraburgimit.
Kërkesa përfshin Dragan Gjuriqin, Millosh Rashkoviqin, Mirosllav Radojeviqin, Radisav Rashkoviqin, Sasha Gjukiqin, Svetislav Gjukiqin, Vukoje Lepoviqin, Randel Rashkoviqin dhe Dalibor Gjuriqin. Sipas dokumentit, ata ndodhen në ndalim që nga 27 shtatori 2026.
Prokuroria dyshon se më 19 prill 1999, në vendin e quajtur Melaja, në fshatin Kalludra e Vogël, persona të armatosur, të përshkruar në kërkesë si pjesëtarë të mbrojtjes territoriale, ndaluan një grup prej 23 civilësh shqiptarë që po përpiqeshin të shkonin në Mal të Zi për t’i shpëtuar luftës.
Sipas versionit të paraqitur nga Prokuroria, civilët fillimisht u plaçkitën dhe u keqtrajtuan, e më pas u ekzekutuan. Trupat e tyre dyshohet se u varrosën në fund të një livadhi, afër lumit.
Dokumenti përshkruan edhe veprimet që dyshohet se u ndërmorën të nesërmen për të fshehur gjurmët e krimit. Sipas Prokurorisë, më 20 prill 1999, rreth orës 10:00, të dyshuarit u kthyen në vendin e ngjarjes dhe tentuan t’i digjnin me benzinë trupat e 13 viktimave. Kërkesa pretendon se më pas trupat u dëmtuan me mjete të forta dhe u varrosën afër lumit, rreth 200 metra larg vendit të vrasjes.
Në të njëjtën dosje përshkruhen edhe dyshimet për vrasjen e Sami dhe Sadete Fekës, si dhe Deli dhe Rabije Isufit, më 18 prill 1999. Sipas Prokurorisë, ata u vranë me armë zjarri dhe më pas u varrosën në fshatin Jabukë të Zubin Potokut.
Kërkesa përshkruan gjithashtu rastin e një të mbijetuari, i cili dyshohet se u nda nga grupi, u sulmua fizikisht dhe u urdhërua të ecte drejt malit me duart prapa kokës. Sipas dokumentit, ndaj tij u qëllua me armë, duke i shkaktuar plagë në kokë dhe kraharor. Ai rrëzohet dhe humb vetëdijen, por mbijeton.
Prokuroria Speciale e arsyeton kërkesën për paraburgim me rrezikun e arratisjes, ndikimit te dëshmitarët dhe dëmtimit apo zhdukjes së provave. Sipas saj, hetimet janë ende në zhvillim dhe nuk janë intervistuar të gjithë dëshmitarët.
Në kërkesën e nënshkruar nga prokurorja speciale Florije Salihu-Shamolli, masat alternative vlerësohen të pamjaftueshme për sigurimin e pranisë së të pandehurve dhe zhvillimin e procedurës.
Dokumenti i siguruar nga Sinjali është kërkesë e Prokurorisë për paraburgim, jo vendim i gjykatës për caktimin e kësaj mase. Të pandehurit prezumohen të pafajshëm deri në një vendim të formës së prerë.
LEX – Drejtësia nga Sinjali


