Këshilli Prokurorial i Kosovës do ta mbajë nesër, më 18 shtator 2026, takimin e 303-të, i cili ishte paraparë të zhvillohej sot, por është shtyrë për të premten.
Mbledhja do të nisë në orën 10:00, në sallën e takimeve në katin e gjashtë të objektit të KPK-së.
Në agjendën me 19 pika është vazhdimi i mekanizmit të raportimit vjetor për vitin 2025 të kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, me plotësime.
Raportimi i Isufajt gjatë mbledhjes së kaluar ishte përcjellë me debate dhe tensione ndërmjet tij dhe anëtarëve të Këshillit.
Para KPK-së pritet të raportojnë edhe kryeprokurorët e Prokurorive Themelore në Pejë, Prizren, Mitrovicë, Gjilan dhe Ferizaj.
Në rend dite është përfshirë edhe dorëheqja e kryesuesit të Komisionit për Buxhet, Financa dhe Administrimin e Prokurorive, si dhe caktimi i kryesuesit të ri të këtij komisioni.
Këshilli pritet të shqyrtojë edhe Rregulloren për Komisionin për Çështje Normative, ndryshimin e rregullores për organizimin dhe funksionimin e Prokurorit të Shtetit, si dhe plotësimin e rregullores për klasifikimin e vendeve të punës në administratën e sistemit prokurorial.
Pjesë e agjendës janë raportet për avancimin e dy prokurorëve në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, transferimin e përhershëm të dy prokurorëve në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe transferimin e një prokurori në Prokurorinë Themelore në Prizren.
KPK-ja do t’i trajtojë gjithashtu raportet për vlerësimin e performancës së gjithsej 22 prokurorëve, përfshirë kundërshtimet e paraqitura ndaj disa prej këtyre raporteve.
Në fund të rendit të ditës është paraparë shqyrtimi i ankesës disiplinore me numër AD.nr.01/2026, si dhe pika “Të ndryshme”.
Takimi do të jetë i hapur për media dhe palët e interesuara, ndërsa pritet të transmetohet drejtpërdrejt në faqen e sistemit prokurorial në Facebook.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


