Hulumtuesja e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë, Nevenka Tromp, ka vlerësuar se aktgjykimi i Dhomave të Specializuara ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka pasoja që shkojnë përtej përgjegjësisë individuale të të dënuarve.
Tromp ka veçuar veçanërisht konstatimin për ekzistencën e një “ndërmarrjeje të përbashkët kriminale”, duke thënë se ky përfundim mund të ndikojë në mënyrën se si perceptohet lufta e UÇK-së dhe vetë shtetësia e Kosovës.
Sipas saj, aktgjykimi mund të ketë ndikim edhe në arenën ndërkombëtare, duke i dhënë Serbisë dhe vendeve skeptike më shumë hapësirë për të sfiduar legjitimitetin moral të luftës së Kosovës.
Tromp për rel ka theksuar se vendimi është i shkallës së parë dhe se procesi i apelit mund të sjellë ndryshime në të, duke përfshirë ndryshimin e disa konstatimeve, uljen e dënimeve ose, në raste të caktuara, rrëzimin e shpalljes së fajësisë për pika të caktuara.
Katër ish-krerët e UÇK-së u shpallën fajtorë për katër akuza për krime lufte, ndërsa u liruan nga gjashtë akuzat për krime kundër njerëzimit.
“Pasojat nuk kufizohen në Kosovë ose në Ballkanin Perëndimor. Drejtësia penale ndërkombëtare, si institucion, tashmë përballet me sulme të vazhdueshme retorike nga udhëheqës që janë subjekt i mekanizmave të saj gjetkë. Një çështje me vëmendje të madhe publike, në të cilën një tribunal i mbështetur nga Perëndimi, dhe i financuar nga BE-ja, prodhon një rezultat që një pjesë e konsiderueshme e opinionit të informuar e konsideron joproporcional, politikisht të leverdishëm ose strategjikisht të përshtatshëm për një aktor rajonal në raport me një tjetër, ofron pikërisht atë lloj shembulli mbi të cilin mbështeten argumente të tilla, pavarësisht bazës doktrinare të aktgjykimit individual. Ajo që vihet në lojë nga mënyra se si pranohet ky aktgjykim nuk është vetëm marrëdhënia e Kosovës me aleatët e saj, ose politika e brendshme e Serbisë, por besueshmëria më e gjerë dhe e ardhmja e të gjithë sistemit ndërkombëtar të përcaktimit të përgjegjësisë”, tha ajo ndër të tjera.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


