Paul Williams, ekspert i së drejtës ndërkombëtare në Uashington, i cili ka dëshmuar në favor të mbrojtjes së Hashim Thaçit në Hagë, ka komentuar aktgjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), të shpallur të mërkurën nga Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Duke kundërshtuar vendimin, juristi amerikan ka kërkuar që të ndërmerren hapa për zhbërjen e kësaj gjykate.
Në një intervistë për gazetaren Keida Kostreci, Williams ka folur edhe për rolin që, sipas tij, mund të ketë administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, lidhur me këtë çështje.
Ai është shprehur i habitur me atë që e konsideron si shpërfillje të zhvillimeve në Dhomat e Specializuara të Kosovës nga administrata amerikane.
“Jam i habitur se si qeveria amerikane, nga njëra anë, mund të jetë kaq armiqësore ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale dhe, nga ana tjetër, të shpërfillë plotësisht atë që Dhomat e Specializuara të Kosovës po i bëjnë njërit prej aleatëve të saj kryesorë në rajon dhe një pale që ka qenë viktimë – fillimisht viktimë e drejtpërdrejtë e krimeve të luftës dhe tani viktimë politike e këtij tribunali”, ka thënë ai.
Williams ka vlerësuar se, nëse administrata amerikane e kupton ndikimin që ky rast mund të ketë në destabilizimin e rajonit, atëherë mund t’i kushtojë më shumë vëmendje kësaj çështjeje.
Sipas tij, nëse kjo ndodh, zyrtarët amerikanë mund të bashkëpunojnë me Kosovën për ndërmarrjen e hapave që do të çonin në zhbërjen e tribunalit.
“Mendoj se Shtetet e Bashkuara thjesht nuk janë përqendruar te kjo çështje; dhe sa më shumë vëmendje t’i kushtojë komuniteti shqiptaro-amerikan kësaj teme… kam përshtypjen se, nëse administrata amerikane do të ndalej dhe do të përqendrohej te ndikimi destabilizues që ky tribunal dhe ky vendim kanë dhe do të kenë në rajon, ata mund të ndërmerrnin hapa efektivë brenda pak orësh për të bashkëpunuar me Kosovën me qëllim shpërbërjen e këtij tribunali dhe rikthimin e procesit të katarsisit të viktimave në rrugën e duhur – gjë për të cilën kjo administratë mund të shqetësohet ose jo – por edhe për të nxitur stabilitetin dhe rikthimin e tij në rajon, gjë për të cilën kjo administratë vërtet ka interes”, ka thënë ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


