Wednesday, September 9, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | “Isha shtatzënë, linda pa mjek” – dëshmi tronditëse në gjykimin...

LEX | “Isha shtatzënë, linda pa mjek” – dëshmi tronditëse në gjykimin ndaj Momir Pantiqit dhe Zharko Zariqit

Momir Pantiq dhe Zharko Zariq, të akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile, janë sjellë sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë Departamenti Special, ku po vazhdon shqyrtimi gjyqësor ndaj tyre.

Në seancën e sotme ka dëshmuar H.A e cila ka rrëfyer për përjetimet e saj gjatë luftës në Kosovë.

H,A deklaroi se kishte qenë shtatzënë kur, së bashku me qindra civilë të tjerë, ishte mbajtur peng në shtëpinë e familjes Alushaj. Ajo tha se e kishte lindur vajzën në atë shtëpi, pa asnjë ndihmë mjekësore.

“Kam qenë shtatzënë dhe kam lindur në atë shtëpi. Nuk kam pasur ndihmë mjekësore, më kanë ndihmuar gratë që kanë qenë aty. Pas kësaj nuk kam qenë fare mirë”, ka deklaruar H.A.

Dëshmitarja tregoi se civilëve u ishte dhënë edhe një dokument, të cilin ishin urdhëruar ta paraqitnin si dëshmi se ishin zënë rob.

“Na kanë thënë: ‘Këtë dokument do t’ua jepni, se jeni zënë rob’”, deklaroi ajo para trupit gjykues.

Çfarë pretendon Prokuroria?

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale, Pantiq dhe Zariq akuzohen se gjatë viteve 1998–1999, në komunën e Istogut, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, kanë vepruar në kundërshtim me rregullat e së drejtës ndërkombëtare humanitare.

Momir Pantiq akuzohet mbi bazën e përgjegjësisë individuale dhe komanduese, në cilësinë e atëhershme të kryeshefit të Stacionit Policor në Istog. Prokuroria pretendon se forcat nën drejtimin e tij kanë kryer vrasje, tortura, trajtim çnjerëzor, frikësim, plaçkitje, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullsisë civile shqiptare.

Në aktakuzë pretendohet se në mars të vitit 1998, gjatë një operacioni policor në lagjen Pepaj të fshatit Lubozhdë, burrat ishin nxjerrë nga shtëpitë, ishin rrahur me kondakë armësh dhe një grup të rinjsh ishte dërguar në Stacionin Policor në Istog, ku dyshohet se ishin torturuar.

Pantiq akuzohet gjithashtu se kishte urdhëruar të qëllohej me armë ndaj qytetarëve shqiptarë që po protestonin në Istog pas masakrës së familjes Jashari në Prekaz. Sipas Prokurorisë, nga të shtënat ishin plagosur disa protestues.

Aktakuza e ngarkon atë edhe lidhur me operacionin e 29 gushtit 1998 në Shushicë, ku pretendohet se u vranë nëntë anëtarë të familjes Salihaj dhe u plagosën persona të tjerë.

Në dosjen e Prokurorisë përfshihen edhe pretendimet për vrasjen e rreth 19 anëtarëve të familjes Imeri në Padalishtë, gjashtë anëtarëve të familjes Rexhaj në Cerrcë, 14 civilëve në Studenicë dhe 15 civilëve në Staradran, ku dy persona të tjerë pretendohet se mbetën të zhdukur.

Prokuroria pretendon se popullsia civile ishte dëbuar nga shtëpitë dhe ishte urdhëruar të nisej drejt Shqipërisë. Një grup civilësh, pasi ishte kthyer nga Prizreni në Istog, dyshohet se ishte vendosur fillimisht në një depo e më pas në shtëpitë e familjes Alushaj. Pikërisht aty, sipas aktakuzës, H.A e kishte lindur vajzën më 30 maj 1999, në kushte të rënda jetese.

Zharko Zariq akuzohet në cilësinë e ish-policit të Stacionit Policor në Istog dhe si zbatues i urdhrave gjatë operacioneve të forcave serbe.

Sipas aktakuzës, në vjeshtën e vitit 1998 në Lubozhdë, Zariq dhe tre policë të tjerë i kishin ndaluar tre civilë që po ktheheshin nga mali, i kishin shtrirë në tokë dhe i kishin rrahur me kondakë të armëve dhe me shqelma.

Prokuroria pretendon se Zariq njërit prej të dëmtuarve ia kishte futur tytën e armës në gojë, duke i shkaktuar lëndime dhe gjakderdhje, pasi ai e kishte njohur dhe i ishte drejtuar me emër.

Zariq ngarkohet edhe lidhur me sulmin e marsit të vitit 1999 në lagjen Pepaj të Lubozhdës. Sipas aktakuzës, banorët ishin urdhëruar t’i braktisnin shtëpitë brenda tri deri në katër orësh, ndërsa gjatë operacionit ishin vrarë civilë dhe shtëpitë ishin kontrolluar e më pas u ishte vënë zjarri.

Prokuroria pretendon se Pantiq dhe Zariq, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, morën pjesë në një fushatë të gjerë dhune dhe dëbimi ndaj popullsisë shqiptare në territorin e Istogut.

Të dy të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që u vihen në barrë

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT