Tuesday, September 8, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | I shpallur fajtor për gazin lotsjellës në Kuvend, Xhelal Sveçla...

LEX | I shpallur fajtor për gazin lotsjellës në Kuvend, Xhelal Sveçla mëson sot dënimin

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do ta mësojë sot dënimin që do t’i shqiptohet nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi javën e kaluar është shpallur fajtor për hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Seanca është caktuar për sot, më 8 shtator, nga ora 09:00, para gjyqtarit Sabit Sadikaj.

Sveçla është shpallur fajtor më 2 shtator për veprën penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa Gjykata kishte lënë për sot vendimin për llojin dhe lartësinë e dënimit.

Rasti lidhet me ngjarjet e 21 marsit 2018, kur gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ishte hedhur gaz lotsjellës në sallën plenare.

Sipas aktakuzës, Sveçla kishte aktivizuar dhe hedhur bombolën e gazit lotsjellës në sallën e Kuvendit, duke bërë që deputetët dhe personat e tjerë të pranishëm të largoheshin dhe seanca të ndërpritej.

Sveçla gjatë procesit nuk e kishte pranuar fajësinë, duke e lidhur veprimin e tij me kundërshtimin politik ndaj ratifikimit të marrëveshjes së demarkacionit.

Për veprën tjetër penale, “Pengimi i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”, Gjykata kishte marrë aktgjykim refuzues për shkak të parashkrimit të ndjekjes penale.

LEX – Drejtësia nga Sinjali do ta përcjellë seancën dhe do t’ju mbajë të informuar për vendimin e Gjykatës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT