Ish-noteri Sinan Visoka dhe tre persona të tjerë po përballen me akuza lidhur me shitjen e dyshimtë të pronave në Hajvali të Prishtinës, përmes dokumenteve që Prokuroria pretendon se ishin të falsifikuara.
Në këtë çështje penale akuzohen Sinan Visoka, Sejdi Bajoku, Muhamed Dragobuzhda dhe Jonuz Zhinipotoku.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Visoka, në cilësinë e noterit në Komunën e Podujevës, më 27 korrik 2020 dyshohet se kishte përpiluar një akt noterial autorizimi në emër të pronares Verica Çoliq, duke u bazuar në dokumente të falsifikuara.
Prokuroria pretendon se draft-certifikata e pronës nuk kishte numër protokolli, vulë dhe nënshkrim të personit zyrtar, ndërsa mbante shenjën “DRAFT”. Si dokument bazë dyshohet se ishte përdorur edhe një kopje e planit në fotokopje.
Megjithëse pretendohet se ishte dashur ta refuzonte kryerjen e veprimit noterial, Visoka akuzohet se e kishte nxjerrë autorizimin përmes të cilit Sejdi Bajoku autorizohej për shitjen e pesë parcelave në Hajvali.
Duke e përdorur këtë akt noterial, më 14 gusht 2020 dyshohet se ishte lidhur kontrata për shitjen e njërës parcelë, me sipërfaqe prej 1,300 metrash katrorë, në vlerë prej 60 mijë eurosh.
Prona më pas, me aktvendim të Drejtorisë së Kadastrit të Komunës së Prishtinës, ishte regjistruar në emër të blerësit. Prokuroria pretendon se me këto veprime ishte dëmtuar pronarja Verica Çoliq.
Visoka akuzohet për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Ndërkaq, Sejdi Bajoku, Muhamed Dragobuzhda dhe Jonuz Zhinipotoku akuzohen se, duke vepruar si pjesëtarë të një grupi, kishin falsifikuar dhe përdorur dokumente publike lidhur me pronat. Ata ngarkohen me veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.
Bajoku dhe Dragobuzhda akuzohen edhe për “Mashtrim”. Sipas Prokurorisë, ata dyshohet se e kishin vënë në lajthim blerësin, duke e nxitur ta lidhte kontratën për blerjen e parcelës. Në aktakuzë pretendohet se Bajoku kishte përfituar 6 mijë euro.
Seanca e planifikuar ndaj katër të akuzuarve është shtyrë për shkak të mungesës së njërit prej tyre. Gjykata pritet të caktojë një datë tjetër për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.
LEX – Drejtësia nga Sinjali do ta përcjellë seancën dhe do t’ju mbajë të informuar për vendimin e Gjykatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


