Friday, September 4, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | I akuzuar se voziti pa patentë dhe shkaktoi aksidentin fatal...

LEX | I akuzuar se voziti pa patentë dhe shkaktoi aksidentin fatal – Vullnet Gashi pret vendimin

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë Departamenti i Përgjithshëm Divizioni Penal me gjyqtarin Driton Berisha është mbajtur sot shqyrtimi gjyqësor ndaj Vullnet Gashit, i akuzuar për rrezikim të trafikut publik me pasojë vdekjen e këmbësorit Ferhat Bejtullahu, raporton “Drejtësia nga Sinjali”.

Gjatë seancës së sotme, palët në procedurë kanë paraqitur fjalët e tyre përfundimtare, duke shënuar përfundimin e shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale.

Pas administrimit të provave dhe përfundimit të deklarimeve të palëve, gjyqtari Driton Berisha ka njoftuar se shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 9 shtator 2026, në orën 13:20.

Rasti lidhet me aksidentin fatal të 2 dhjetorit 2023, në rrugën “Bill Clinton” në Prishtinë, ku si pasojë e goditjes nga vetura kishte humbur jetën këmbësori Ferhat Bejtullahu.

Sipas aktakuzës së ngritur më 27 shkurt 2024 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Gashi dyshohet se po e drejtonte veturën pa patentë shofer dhe po lëvizte në shiritin e dedikuar për autobusë dhe taksi.

Prokuroria pretendon se i akuzuari, nga pakujdesia, nuk e kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet dhe gjendjen e rrugës, duke rrezikuar trafikun publik dhe jetën e njerëzve.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Bejtullahu po e kalonte rrugën jashtë vendkalimit të shënuar për këmbësorë kur ishte goditur me pjesën ballore të veturës. Si pasojë e lëndimeve të marra, ai kishte ndërruar jetë.

Në seancën fillestare, Vullnet Gashi ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale që i vihet në barrë.

Ai akuzohet për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 9, lidhur me paragrafët 6 dhe 1 të Kodit Penal.

“Drejtësia nga Sinjali” do ta përcjellë shpalljen e aktgjykimit më 9 shtator.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT