Wednesday, September 30, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Goditja pranë zemrës i mori jetën Elmir Kryeziut – mbetet...

LEX | Goditja pranë zemrës i mori jetën Elmir Kryeziut – mbetet dënimi me 20 vjet burg për Haxhi Selmanajn

Dënimi me 20 vjet burg ndaj Haxhi Selmanajt për vrasjen e Elmir Kryeziut mbetet në fuqi, pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës e shpalli të papranueshme kërkesën e tij, duke i vlerësuar pretendimet për shkelje kushtetuese si qartazi të pabazuara.

Selmanaj kishte kërkuar anulimin e aktgjykimeve dhe kthimin e çështjes në rigjykim, duke pretenduar, ndër të tjera, se gjykatat nuk e kishin arsyetuar mjaftueshëm refuzimin e pretendimit të tij për mbrojtje të nevojshme.

Aktvendimi është marrë njëzëri më 9 shtator 2026 dhe është publikuar më 30 shtator.

Sipas fakteve të pasqyruara në dokument, ngjarja kishte ndodhur më 26 janar 2020. Pas një mosmarrëveshjeje verbale, Selmanaj ishte përfshirë në përleshje fizike me Z.K. Vëllai i këtij të fundit, Elmir Kryeziu, që ndodhej në një dyqan aty pranë, ishte afruar te vendi i ngjarjes.

Selmanaj e kishte goditur Elmir Kryeziun në gjoks me një mjet të fortë dhe të mprehtë. Si pasojë e gjakderdhjes masive, viktima kishte ndërruar jetë gjatë rrugës për në Qendrën Emergjente në Prizren.

Një goditje e vetme nuk e përjashtoi dashjen për vrasje

Në arsyetimin e Gjykatës Supreme, të cituar nga Kushtetuesja, theksohet se fakti që Selmanaj e kishte goditur viktimën vetëm një herë nuk e përjashtonte dashjen për ta privuar nga jeta.

Supremja kishte marrë parasysh mosmarrëveshjen e mëhershme me vëllain e viktimës, pajisjen e Selmanajt me thikë dhe goditjen pranë zemrës, e cila kishte rezultuar fatale.

Sipas gjykatave, rrethanat e rastit e përjashtonin mbrojtjen e nevojshme dhe tejkalimin e kufijve të saj, pasi nuk ishte provuar ekzistenca e sulmit që do ta justifikonte një mbrojtje të tillë.

Kishte thikë dhe brisk, ekzaminimi nuk i evidentoi lëndime

Gjykata Themelore kishte konstatuar se Selmanaj kishte në posedim një thikë me teh në gjatësi prej nëntë centimetrash dhe një brisk me teh prej shtatë centimetrash.

Sipas arsyetimit të saj, ai kishte pasur mundësi të largohej nga vendi i ngjarjes, por kishte vazhduar sulmin, duke i shkaktuar viktimës plagën vdekjeprurëse.

Ndërkohë, raporti mjekësor i hartuar pas ekzaminimit të Selmanajt ditën e ngjarjes nuk kishte evidentuar lëndime trupore tek ai.

Edhe ekspertiza psikiatrike kishte konstatuar se, në momentin e kryerjes së veprës, aftësia e tij për ta kuptuar rëndësinë e veprimit dhe për t’i kontrolluar veprimet kishte qenë e ruajtur.

Dënimi u shqiptua sërish pas rigjykimit

Selmanaj ishte dënuar fillimisht më 26 mars 2021 me 20 vjet burg dhe 500 euro gjobë. Por Apeli e kishte anuluar atë aktgjykim për mungesë arsyetimi lidhur me faktet vendimtare dhe e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Gjatë rigjykimit ishin administruar ekspertiza psikiatrike, raporte të forenzikës dhe ishte bërë rikonstruksioni i vendit të ngjarjes.

Më 28 prill 2025, Gjykata Themelore në Prizren e kishte shpallur sërish fajtor për vrasje dhe armëmbajtje pa leje, duke i shqiptuar 20 vjet burg, 500 euro gjobë dhe konfiskimin e armës së ftohtë dhe briskut.

Apeli kishte refuzuar si ankesën e mbrojtjes, ashtu edhe atë të Prokurorisë, e cila kërkonte dënim më të lartë. Më pas, edhe Supremja kishte refuzuar kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë.

Kushtetuesja vlerësoi se gjykatat i kishin trajtuar dhe arsyetuar mjaftueshëm pretendimet e Selmanajt, përfshirë atë për mbrojtje të nevojshme, dhe nuk gjeti zbatim qartazi të gabuar të ligjit apo përfundime arbitrare.

“Fakti i thjeshtë se parashtruesi i kërkesës nuk është i kënaqur me rezultatin e procedurës dhe përmbajtjen e vendimeve të gjykatave të rregullta, nuk është i mjaftueshëm për të ndërtuar një pretendim për shkelje kushtetuese”, thuhet në aktvendim.

LEX – Drejtësia nga Sinjali

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT