Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë ia ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh Gazmend Halilajt, i dyshuar për veprat penale “Kanosja” dhe “Sulmi ndaj personit zyrtar”.
Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte kërkuar caktimin e paraburgimit ndaj Halilajt.
Pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i procedurës paraprake e ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka vendosur që i dyshuari të qëndrojë në paraburgim për një muaj.
Gjykata ka vlerësuar se, nëse lihet në liri, ekziston rreziku që Halilaj ta pengojë zhvillimin e procedurës penale, duke iu shmangur thirrjeve të organeve kompetente ose vetë procedurës.
Po ashtu, sipas vlerësimit të Gjykatës, ekziston rrezik konkret që i dyshuari, nëse mbrohet në liri, t’i përsërisë veprat e njëjta ose të ngjashme penale.
Gazmend Halilaj dyshohet se e ka kanosur kryeministrin e Kosovës, ndërsa ndaj tij po zhvillohen hetime edhe nën dyshimin për sulm ndaj personit zyrtar.
Palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë, brenda afatit prej 48 orësh.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


