Pas gati gjashtë vjetësh në paraburgim, qindra seancave gjyqësore dhe dëgjimit të 134 dëshmitarëve, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi përballen sot me momentin vendimtar të procesit ndaj tyre në Hagë.
Dhomat e Specializuara të Kosovës pritet ta shpallin sot aktgjykimin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të cilët që nga nëntori i vitit 2020 ndodhen në objektin e paraburgimit në Hagë.
Prokuroria ka kërkuar që të katërt të shpallen fajtorë në të gjitha pikat e aktakuzës dhe të dënohen me nga 45 vjet burgim. Mbrojtja ka kundërshtuar pretendimet e saj, duke kërkuar lirimin e plotë të të akuzuarve.
Nga dorëzimi te konfirmimi i aktakuzës
Zyra e Prokurorit të Specializuar e dorëzoi më 24 prill 2020 për shqyrtim aktakuzën me dhjetë pika kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Ekzistenca e aktakuzës u bë publike më 24 qershor 2020, ndërsa ajo u konfirmua nga gjykatësi i procedurës paraprake më 26 tetor të po atij viti.
Aktakuza u ndryshua më pas më 3 shtator 2021, më 29 prill 2022 dhe më 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime, i dorëzuar më 27 shkurt 2023, mbeti aktakuza në fuqi gjatë gjykimit.
Katër të akuzuarit përballen me gjashtë pika për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë.
Ata akuzohen edhe për katër pika për krime lufte: arrestim dhe ndalim të paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme.
Sipas Prokurorisë, krimet e pretenduara janë kryer së paku nga marsi 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione në Kosovë, si dhe në Kukës e Cahan të Shqipërisë.
Prokuroria pretendon se viktimat ishin persona të perceptuar si kundërshtarë të UÇK-së, përfshirë shqiptarë, serbë dhe romë. Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi i kanë mohuar të gjitha akuzat.
Dorëheqja e Thaçit dhe transferimi në Hagë
Pas konfirmimit të aktakuzës, Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit të Kosovës më 5 nëntor 2020, duke deklaruar se dëshironte ta mbronte integritetin e Presidencës.
Jakup Krasniqi ishte arrestuar dhe transferuar në Hagë një ditë më parë, më 4 nëntor. Thaçi, Veseli dhe Selimi u transferuan në objektin e paraburgimit më 5 nëntor.
Në paraqitjet e para para gjykatës, të zhvilluara nga 9 deri më 11 nëntor 2020, që të katërt u deklaruan të pafajshëm.
Kërkesat e tyre për mbrojtje në liri u refuzuan dhe ata vazhduan të mbaheshin në paraburgim gjatë tërë procesit.
Gjykimi nisi më 3 prill 2023
Pas më shumë se dy vjetësh procedurë paraprake, dosja iu kalua Trupit Gjykues më 15 dhjetor 2022, ndërsa gjykimi nisi më 3 prill 2023.
Në deklaratën hyrëse, Prokuroria theksoi se procesi nuk zhvillohej kundër UÇK-së apo luftës së saj, por për përcaktimin e përgjegjësisë penale individuale të katër të akuzuarve.
Mbrojtja e kundërshtoi pretendimin se gjatë luftës kishte ekzistuar një strukturë e centralizuar komanduese, përmes së cilës Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mund të urdhëronin ose kontrollonin veprimet e njësive në terren.
Prokuroria thirri 125 dëshmitarë
Prokuroria e përfundoi paraqitjen e provave më 15 prill 2025, pas dëgjimit të 125 dëshmitarëve.
Mes tyre kishte ish-pjesëtarë dhe ish-komandantë të UÇK-së, zyrtarë ndërkombëtarë, ekspertë, persona që pretenduan se kishin qenë të ndaluar dhe familjarë të viktimave.
Një pjesë e dëshmitarëve dha dëshmi me masa mbrojtëse, me zë dhe pamje të ndryshuar, ndërsa pjesë të seancave u zhvilluan të mbyllura për publikun.
Në mesin e dëshmitarëve publikë të thirrur nga Prokuroria ishin Bislim Zyrapi, Sylejman Selimi, Shukri Buja, Sokol Bashota, Naim Maloku, Fadil Geci, Rrustem Tetaj dhe Nuredin Ibishi.
Megjithatë, fakti se një dëshmitar është thirrur nga Prokuroria nuk nënkupton automatikisht se ai ka dëshmuar kundër të akuzuarve. Mbrojtja përdori pjesë nga disa prej këtyre dëshmive për ta kundërshtuar pretendimin se UÇK-ja kishte strukturë të centralizuar dhe zinxhir të qartë komandues.
Pas Prokurorisë, më 16 dhe 17 korrik 2025, mbrojtësja e 156 viktimave pjesëmarrëse paraqiti provat dhe dy dëshmitarët e saj.
Ish-zyrtarët amerikanë dëshmuan në mbrojtje
Faza e paraqitjes së provave nga mbrojtja nisi më 15 shtator 2025. Prova paraqitën ekipet mbrojtëse të Thaçit dhe Krasniqit, ndërsa mbrojtjet e Veselit dhe Selimit nuk thirrën dëshmitarë të tyre.
Shtatë dëshmitarët e mbrojtjes ishin James Rubin, Paul Williams, John Duncan, James “Jock” Covey, Christopher Hill, Michael Durkee dhe ish-komandanti suprem i NATO-s, Wesley Clark.
James Rubin, ish-zyrtar i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, deklaroi se Thaçi gjatë luftës ishte kryesisht figurë politike dhe nuk kishte autoritet real operacional mbi UÇK-në. Ai e përshkroi Jakup Krasniqin si figurë me ndikim moderues.
Ish-diplomati Christopher Hill dëshmoi se Thaçi nuk ishte person i prirur ndaj dhunës dhe se nuk kishte informacione që ai kishte urdhëruar veprime të paligjshme.
Ndërkaq, Wesley Clark deklaroi se UÇK-ja nuk funksiononte si një ushtri tradicionale me hierarki të rreptë komanduese. Mbrojtja e përdori dëshminë e tij për të argumentuar se Thaçi nuk kishte kontroll operacional mbi komandantët dhe njësitë në terren.
Paraqitja e provave nga mbrojtja përfundoi më 2 dhjetor 2025, ndërsa më 18 dhjetor Trupi Gjykues e shpalli të mbyllur fazën e provave.
Gjatë këtij procesi dëshmuan gjithsej 134 persona: 125 të thirrur nga Prokuroria, dy nga mbrojtësja e viktimave dhe shtatë nga mbrojtja. Dhomat e Specializuara
Thaçi dhe Veseli humbën prindërit gjatë qëndrimit në Hagë
Procesi i gjatë u shoqërua edhe me humbje të rënda familjare për të akuzuarit.
Kadri Veseli i humbi të dy prindërit gjatë qëndrimit në paraburgim. Babai i tij, Fazli Veseli, ndërroi jetë më 7 korrik 2021, ndërsa nëna e tij, Ajshe Veseli, vdiq në janar 2022.
Veseli ishte lejuar ta vizitonte babanë e tij të sëmurë në Kosovë, nën masa të rrepta sigurie, por nuk mori pjesë në ceremonitë mortore të prindërve.
Edhe Hashim Thaçi e humbi babanë derisa ndodhej në Hagë. Haxhi Thaçi ndërroi jetë më 16 mars 2025, në moshën 87-vjeçare.
Vetëm tri ditë para vdekjes, Thaçi ishte sjellë në Kosovë dhe ishte lejuar ta vizitonte babanë për rreth tri orë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Thaçit nuk iu lejua pjesëmarrja në varrim. Më 21 mars 2025, pesë ditë pas vdekjes së babait, ai u soll në Burojë për ta vizituar varrin e tij.
Mbi kurorën me lule, Thaçi la mesazhin prekës:
“Unë erdha i fundit, babë.”
Kështu, gjatë viteve të paraburgimit, Thaçi dhe Veseli u përballën jo vetëm me procesin gjyqësor, por edhe me humbjen e njerëzve më të afërt, pa mundur të ishin pranë familjeve në ditët e varrimit. Raportimi për vizitën e Thaçit
Prokuroria kërkoi nga 45 vjet burgim
Deklaratat përmbyllëse u mbajtën nga 9 deri më 18 shkurt 2026.
Prokurorja e Specializuar, Kimberly West, kërkoi që të katër të akuzuarit të shpallen fajtorë në të gjitha dhjetë pikat dhe që secili të dënohet me nga 45 vjet burgim.
Sipas Prokurorisë, provat e paraqitura gjatë procesit dëshmojnë se të akuzuarit kishin kontribuar në krimet e pretenduara dhe në fushatën kundër personave të perceptuar si kundërshtarë.
Mbrojtja deklaroi se Prokuroria nuk kishte arritur ta provonte ekzistencën e ndërmarrjes së përbashkët kriminale, kontrollin efektiv të të akuzuarve mbi ngjarjet në terren dhe lidhjen e tyre me krimet e pretenduara.
Në fjalën e tij përfundimtare, Thaçi kërkoi pafajësi, duke i cilësuar akuzat të pabazuara. Të njëjtin qëndrim mbajtën edhe Veseli, Selimi dhe Krasniqi përmes ekipeve të tyre mbrojtëse.
Pas gati gjashtë vjetësh në paraburgim, 134 dëshmitarëve dhe një procesi që ka shkaktuar reagime të fuqishme në Kosovë, sot pritet vendimi i Trupit Gjykues.
Aktgjykimi që do të shpallet është i shkallës së parë dhe mund të kundërshtohet nga palët në procedurën e apelit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


