Anëtari i Kryesisë së Aleancës, Daut Haradinaj, ka reaguar pas deklaratës së Kuvendit të Kosovës lidhur me aktgjykimin ndaj ish-krerëve të UÇK-së, duke kërkuar veprime konkrete institucionale ndaj Gjykatës Speciale.
Haradinaj ka thënë se deklarata e Kuvendit merr kuptim vetëm nëse brenda kësaj jave miratohet ligji për ndryshimin e kornizës ligjore të Gjykatës Speciale, të cilin ai e përshkruan si ligj që do ta “zhbënte” atë.
Ai e ka cilësuar deklaratën si të vonuar dhe ka kritikuar, siç tha, diskutimet që fokusohen te kohëzgjatja e dënimeve.
“Logjika e kontestimit të lartësisë së dënimit – ‘dënim i rëndë apo dënim i lehtë’, nuk përkon me kombin shqiptar, i cili është ngritur në këmbë në të gjitha sheshet e botës, me të vetmen thirrje: ‘JO NË EMRIN TIM!’”, ka shkruar Haradinaj.
Sipas tij, debati nuk duhet të përqendrohet në atë nëse dënimet janë të rënda apo të lehta, por në kundërshtimin e vetë procesit dhe në kërkesën për veprime konkrete institucionale.
“E gjitha të tjerat, përfshirë edhe takimet e errëta, janë thjesht kalkulime politike”, ka deklaruar ai.
Thirrja “Jo në emrin tim” është përdorur edhe në protestat e zhvilluara në Kosovë dhe diasporë pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


