Wednesday, September 16, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | E përcollën deri te banesa dhe e ekzekutuan pas përfundimit...

LEX | E përcollën deri te banesa dhe e ekzekutuan pas përfundimit të ndërrimit – vazhdon gjykimi për vrasjen e rreshterit Muhamet Lika

Në Gjykatën Themelore në Ferizaj, sot nga ora 10:45, vazhdon shqyrtimi gjyqësor në rastin e vrasjes së rreshterit të Policisë së Kosovës, Muhamet Lika.

Para trupit gjykues pritet të paraqiten Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkëlqim Kuka dhe Diamant Gashi.

Pesë të akuzuarit e parë ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, ndërsa Diamant Gashi akuzohet për dhënie të ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale. Të gjithë janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave që u vihen në barrë.

Sipas pretendimeve të Prokurorisë, vrasja e rreshterit Lika ishte planifikuar paraprakisht dhe dyshohet se kishte lidhje me punën e tij si zyrtar policor.

Rreshteri ishte vrarë më 1 prill 2025, rreth orës 23:00, në hyrjen e ndërtesës ku banonte në rrugën “Idriz Seferi” në Kaçanik. Ai sapo kishte përfunduar ndërrimin dhe po kthehej në banesën e tij.

Në aktakuzë pretendohet se të pandehurit, në bashkëveprim edhe me një person që në kohën e krimit ishte i mitur, e kishin përcjellë Likën nga dalja e Stacionit Policor deri te ndërtesa ku jetonte.

Sipas dosjes së Prokurorisë, i mituri dyshohet se kishte shkuar pas rreshterit dhe kishte shtënë në drejtim të tij me armë zjarri. Në vendin e ngjarjes ishin gjetur katër gëzhoja të kalibrit 9.19 milimetra.

Raporti i autopsisë kishte konstatuar se vdekja e Likës ishte e dhunshme dhe kishte ardhur nga gjakderdhja e brendshme dhe e jashtme, si pasojë e dëmtimit të mushkërive dhe mëlçisë nga predhat e armës së zjarrit.

Prokuroria pretendon se Edmond Lika dhe Shkëlqim Kuka kishin përcjellë lëvizjet e rreshterit pasi ai kishte dalë nga stacioni policor. Diamant Gashi, ndërkaq, akuzohet se kishte kontaktuar Haki Belën dhe se të miturit të dyshuar për të shtënat i ishte siguruar strehim, ushqim dhe ndihmë pas krimit.

Ndaj të miturit procedura penale zhvillohet veçmas.

Në seancën e sotme pritet të vazhdojë administrimi i provave dhe dëgjimi i dëshmitarëve në njërin prej proceseve më të rënda gjyqësore që po zhvillohet në Ferizaj.

Prokuroria ka paralajmëruar se gjatë procesit do të paraqesë video-incizime, prova materiale dhe dëshmi, me pretendimin se ato tregojnë përgatitjen dhe rolin e secilit të akuzuar para, gjatë dhe pas vrasjes.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT