Ka dështuar të mbahet seanca gjyqësore në rastin e tentim-grabitjes së armatosur në postën e shpejtë “Mik Mik” në Obiliq, për të cilin Gazeta Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht në vitin 2022.
Shkak për dështimin e seancës ishte mungesa e të akuzuarit Fitim Cakolli.
Gjyqtari i rastit paralajmëroi se, nëse Cakolli nuk paraqitet as në seancën e ardhshme, procedura penale ndaj tij do të veçohet, në mënyrë që të mos pengohet vazhdimi i gjykimit ndaj të akuzuarve të tjerë.
Rasti lidhet me tentim-grabitjen që kishte ndodhur më 23 qershor 2022, pak para mesnatës, në objektin e postës së shpejtë “Mik Mik”, në fshatin Mazgit të Obiliqit.
Siç kishte raportuar ekskluzivisht Sinjali, katër persona të maskuar dyshohet se kishin hyrë në objekt. Dy prej tyre ishin të pajisur me armë të gjata, ndërsa të tjerët mbanin mjete të forta.
Të dyshuarit ishin përballur me punëtorët dhe pronarin e postës, por nuk kishin arritur ta realizonin grabitjen. Gjatë largimit, njëri prej tyre dyshohet se kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të objektit. Nga të shtënat nuk ishte raportuar për persona të lënduar.
Pas ikjes, vetura me të cilën dyshohej se ishin larguar ishte gjetur e djegur në autostradë. Policia kishte dalë në vendin e ngjarjes dhe kishte mbledhur prova materiale, përfshirë pamjet e kamerave të sigurisë.
Për shkak të mungesës së Fitim Cakollit, shqyrtimi gjyqësor nuk mundi të vazhdonte, ndërsa seanca u shty për një datë tjetër. Nëse ai mungon përsëri, Gjykata paralajmëroi veçimin e procedurës ndaj tij.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


