Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë Departamenti Special me Gjyqtaren Violeta Namani Hajra ishte paraparë të mbahej seancë ndaj kryeshefit të ndërmarrjes publike “Ibër-Lepenci”, Faruk Mujka, ka dështuar për shkak të mungesës së kushteve ligjore për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor.
Në gjykatë u bë e ditur se Mujka nuk ishte i pranishëm pasi ndodhet në Francë, në kuadër të një vizite të ndërmarrjes “Ibër-Lepenci”.
Megjithatë, Mujka nuk ishte i vetmi që mungoi në seancën e sotme. I pranishëm nuk ishte as gjyqtari Lufti Shala, anëtar i trupit gjykues.
Për shkak të mungesës së të akuzuarit dhe mosplotësimit të trupit gjykues, u konstatua se nuk ekzistojnë kushtet ligjore për mbajtjen e seancës.
Mujka po gjykohet së bashku me Hysen Muzliukajn nën akuzën për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar. Sipas pretendimeve të Prokurorisë Speciale, ata dyshohet se e kanë keqpërdorur detyrën zyrtare me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror.
Të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm lidhur me akuzat që rëndojnë ndaj tyre. Seanca e radhës pritet të caktohet për një datë tjetër.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


