Kanë kaluar 45 minuta nga ora e caktuar për shpalljen e aktgjykimit ndaj ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, dhe tre të akuzuarve të tjerë në rastin e njohur si “53-milionëshi”, por trupi gjykues ende nuk është paraqitur në sallë.
Shpallja e aktgjykimit ishte caktuar për sot në orën 09:15 në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Megjithatë, deri në orën 10:00, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Violeta Namani ende nuk është paraqitur për ta shpallur vendimin.
Në këtë rast, përveç Pal Lekajt, të akuzuar janë edhe Eset Berisha, Nebih Shatri dhe Besim Tahiri.
Rasti ndodhet në rigjykim pasi Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e parë, me të cilin Lekaj dhe të tjerët ishin shpallur fajtorë.
Aktakuza lidhet me pagesën shtesë prej 53.1 milionë eurosh ndaj kompanisë “Bechtel & Enka” për zgjatjen e afatit të punimeve në autostradën “Arbën Xhaferi”.
Prokuroria Speciale pretendon se veprimet për të cilat akuzohen Lekaj dhe të tjerët i kanë shkaktuar buxhetit të Kosovës dëm prej mbi 38 milionë eurosh.
LEX – Drejtësia nga Sinjali ndodhet në Gjykatën Themelore në Prishtinë dhe po pret shpalljen e aktgjykimit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


