Wednesday, September 9, 2026
spot_img
HomeLajmeEkskluzive | Inspektorët shkuan për kontroll në “Etno Koha”, pronari dyshohet se...

Ekskluzive | Inspektorët shkuan për kontroll në “Etno Koha”, pronari dyshohet se i pengoi dhe i kërcënoi – rasti në Prokurori

Një inspektim sanitar në një restorant në fshatin Keqekollë të Prishtinës dyshohet se ka përfunduar me kërcënime ndaj tre zyrtarëve që po ushtronin detyrën e tyre, mëson ekskluzivisht Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se personi i dyshuar është Bujar Rexha, pronar i restorantit “Etno Koha”.

Rasti ka ndodhur më 8 shtator, kur tre inspektorë sanitarë kishin shkuar në restorant për të kryer një inspektim në kuadër të detyrës së tyre zyrtare.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë inspektimit pronari i restorantit dyshohet se i ka penguar zyrtarët në kryerjen e detyrës dhe më pas i ka kanosur me fjalë.

Tre inspektorët kanë deklaruar se pas kërcënimeve janë ndier të rrezikuar dhe janë larguar nga lokacioni.

Rreth orës 13:50, ata janë paraqitur në Stacionin Policor Veriu në Prishtinë, ku kanë denoncuar rastin dhe kanë dhënë deklaratat e tyre lidhur me atë që dyshohet se kishte ndodhur gjatë inspektimit.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar Policinë që të iniciojë rastin “Kanosje ndaj personit zyrtar” dhe të sigurojë prezencën e të dyshuarit për procedurat e mëtejshme.

Rasti po trajtohet nga organet kompetente.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT