Pavarësisht propozimit nga LDK-ja të Vjosa Osmanit si emër për postin e presidentit, nga Lëvizja Vetëvendosje vazhdojnë të insistojnë në emra “konkret”.
Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka deklaruar se subjekti i saj dje bëri një hap të ri për të tejkaluar bllokadën në procesin e zgjedhjes së presidentit.
Sipas saj, VV ka hequr dorë nga kjo pozitë, duke u bërë thirrje dy partive më të mëdha opozitare, PDK-së dhe LDK-së, që të propozojnë tre kandidatë unifikues.
“Lëvizja VETËVENDOSJE! dje e bëri edhe një hap tutje për të mundësuar tejkalimin e ngërçit në zgjidhjen e presidentit, duke hequr dorë nga kjo pozitë dhe duke ftuar dy partitë më të mëdha opozitare që të vijnë me 3 propozime të kandidaturave unifikuese jashtë skenës politike, me integritet e kontribut të dëshmuar”, shkroi ajo.
Mirëpo, sipas Nagavcit, përveç deklaratave të tyre në rrjetet sociale, ende nuk kanë pranuar zyrtarisht asnjë propozim karshi kësaj oferte.
“Përtej deklaratave në media e rrjete sociale nga PDK e LDK, deri më tani, ne nuk kemi pranuar zyrtarisht asnjë propozim konkret karshi ofertës sonë për t’i dhënë vendit një president konsensual e unifikues”.
“Për shkak të peshës së situatës dhe rëndësisë së afateve, ne mbesim në pritje të propozimeve konkrete edhe sonte, dhe i ftojmë edhe njëherë PDK-në e LDK-në që të kontribuojnë në tejkalimin e situatës me propozimin e 3 emrave, dhe t’i vënë në dispozicion nënshkrimet e të gjithë deputetëve të tyre dhe t’i japim fund krizës dhe t’i ofrojmë qytetarëve stabilitetin institucional që vendi e meriton”, tha ajo.
Mirëpo, ishte kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku i cili dje ia paraqiti Albin Kurtit emrin e Vjosa Osmanit, duke i kërkuar kryeministrit garanci se 66 deputetë të mazhorancës do ta votonin atë./Klankosova.tv


