Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka treguar arsyen pse ende nuk është shqyrtuar në Qeveri projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.
Kurti ka bërë të ditur se Qeveria është në pritje të mendimit ligjor nga Ministria e Drejtësisë, ndërsa nuk ka treguar nëse Lëvizja Vetëvendosje do ta mbështesë iniciativën ligjore të Partisë Demokratike të Kosovës.
Në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë, Kurti ka thënë se iniciativa e PDK-së i është drejtuar Zyrës Ligjore në Kryeministri, e cila më pas ka kërkuar mendim ligjor nga Ministria e Drejtësisë.
“Është një vendim për t’u përshëndetur ai i së hënës, me 99 vota Deklarata për Aktgjykimit ndaj Thaçit e të tjerëve. Aty kemi shprehur shqetësimin tonë të thellë me Aktgjykimin e padrejtë në shkalë të parë. Në Apel duhet të dalim triumfues. Duhet energjitë dhe kokat e fushës së caktuar, sepse kjo është çështje ekspertize, sepse në Apel duhet të kemi korrigjimet e nevojshme. Iniciativa e PDK-së, është çështje e Kuvendit, dhe i është drejtuar zyrës ligjore në KM. Tash zyra ligjore ka kërkuar mendim ligjor në ministrisë së drejtësisë. Kjo është procedura e rregullt. Prej informimeve që i kam deri më tani nga ministrisë përkatëse, brenda kësaj jave do ta kemi përgjigjen e zyrës ligjore të Ministrisë së Drejtësisë edhe vlerësimin financiar të MF-së, dhe mandej menjëherë i japim përgjigje Kuvendit dhe aty vazhdon më tutje procedura”, ka thënë ai.
Tutje, kryeministri u shpreh se asnjëherë nuk ka ndërruar qëndrim për Gjykatën Speciale prandaj edhe thotë se s’ka pritur drejtësi.
“Asnjëherë s’kam pritur drejtësi. Asnjëherë s’e kam ndryshuar këtë qëndrim për gjykatën. Akuza e ndërmarrjes së përbashkët kriminale duhet medoemos të korrigjohet në apel. Ka munguar transparenca, përveç se gjykatë mono-etnike. Dhe e treta janë ato pasaktësitë faktike dhe historike që dëgjuam më 16 shtator. Le të mos harrojmë se atë ditë janë lexuar dhjetëra faqe. Por vendimi i plotë është mijëra faqe”, ka deklaruar Kurti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


