Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se Kosova është plotësisht e rreshtuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.
Deklaratat Kurti i bëri pas takimit me Komisioneren e BE-së për Zgjerim, Marta Kos, e cila po qëndron për vizitë në Prishtinë dhe ka zhvilluar takime edhe me ushtruesen e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu.
Në konferencën për media, Kurti tha se takimi me Kos ka qenë konstruktiv dhe se Kosova ka shënuar progres në fusha kyçe si demokracia, ekonomia dhe sundimi i ligjit.
Ai theksoi se Kosova ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, ka ofruar strehim për gazetarët ukrainas dhe është bashkuar me të gjitha sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Rusisë.
Kurti gjithashtu ngriti çështjen e statusit kandidat të Kosovës dhe hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, duke theksuar se vendi pret avancim meritor në procesin e integrimit evropian.
“Zgjerimi i BE-së është mjeti më i suksesshëm i politikës së jashtme të saj. Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtra, por një proces të drejtë dhe meritor,” u shpreh Kurti.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


