Irani i ka paraqitur Shteteve të Bashkuara një propozim të ri për t’i dhënë fund luftës. Sipas planit, Teherani do të rihapte ngushticën e Hormuzit dhe do të rikthente bisedimet për programin e tij bërthamor brenda shtatë ditësh, nëse Uashingtoni do të hiqte bllokadën detare dhe do të plotësonte disa kushte të tjera.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, e bëri të ditur propozimin gjatë një takimi privat në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, sipas Associated Press. Sipas pjesëmarrësve në takim, propozimi i është përcjellë SHBA-ve përmes ndërmjetësve dhe përmban një plan shtatëditor për t’i dhënë fund konfliktit.
“Disa kushte plotësohen, ngushtica e Hormuzit do të hapet në fund të ditës së shtatë dhe bisedimet do të rifillojnë”, mësohet të ketë thënë Araghchi.
Kushtet e Iranit përfshijnë heqjen e bllokadës detare amerikane, lehtësimin e sanksioneve ndaj naftës dhe një armëpushim që do të përfshinte edhe Libanin. Sipas Associated Press, kërkesat e Iranit janë të ngjashme me ato të një memorandumi mirëkuptimi të arritur më herët mes Teheranit dhe Uashingtonit në qershor, por që më pas dështoi.
Reagime të ndryshme në Iran
Propozimi i ri nuk është komentuar zyrtarisht nga zyrtarët ushtarakë iranianë, veçanërisht nga krahu më i ashpër brenda strukturave të pushtetit. Ndërkohë, lajmet për mundësinë e rifillimit të negociatave mes Iranit dhe SHBA-ve ndikuan edhe në tregjet e naftës. Çmimi i naftës Brent ra në rreth 105 dollarë për fuçi.
Në Nju Jork, Araghchi zhvilloi gjithashtu bisedime me Sekretarin e Jashtëm britanik, Ed Miliband. Gjatë takimit, ministri iranian akuzoi disa vende evropiane për veprime “shkatërruese dhe të papërgjegjshme” dhe për mbështetje ndaj asaj që ai e cilësoi si agresion ushtarak amerikan dhe izraelit kundër Iranit.
Katari kërkon uljen e tensioneve
Presidenti iranian Masoud Pezeshkian u takua në Nju Jork me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani.
Katari po përpiqet të ndërmjetësojë mes Iranit dhe SHBA-ve dhe ka marrë pjesë në përpjekjet për të krijuar një kanal dialogu mes dy vendeve. Sipas Ministrisë së Jashtme të Katarit, dy liderët diskutuan zhvillimet e fundit në rajon dhe përpjekjet për uljen e tensioneve dhe krijimin e kushteve për dialog.
Analisti izraelit: Irani po teston gatishmërinë e SHBA-së
Danny Citrinowicz, ish-drejtues i departamentit të kërkimit në inteligjencën ushtarake izraelite, tha se Teherani duket se beson se po krijohet një mundësi për dialog në Uashington.
Sipas tij, Irani mund të jetë duke testuar nëse presioni ekonomik dhe politik mund ta bëjë administratën amerikane më fleksibël, veçanërisht në një kohë kur çmimet e naftës dhe zgjedhjet afatmesme amerikane janë faktorë të rëndësishëm.
Megjithatë, Citrinowicz paralajmëroi se qëndrimi i Iranit nuk duhet parë si një tërheqje strategjike. Propozimi i ri vjen në një moment kur tensionet mes Iranit, SHBA-ve dhe Izraelit mbeten të larta, ndërsa përpjekjet diplomatike në Nju Jork synojnë të gjejnë një rrugë për uljen e konfliktit dhe rikthimin e negociatave.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


