Friday, July 3, 2026
spot_img
HomeLajmeKryeministri i Moldavisë jep dorëheqje

Kryeministri i Moldavisë jep dorëheqje

Kryeministri i Moldavisë, Alexandru Munteanu, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, duke deklaruar se nuk mund ta ushtronte më mandatin në përputhje me “parimet dhe bindjet” e tij.

Në një postim në rrjetet sociale, Munteanu tha se kishte marrë përgjegjësinë për të udhëhequr qeverinë me bindjen se mund të sillte ndryshime pozitive në vend, por se kishte ardhur në përfundimin se nuk mund të vazhdonte më në të njëjtën mënyrë.

“Kur kuptova se nuk mund ta përmbushja më mandatin tim në përputhje me parimet dhe bindjet e mia, zgjodha të jap dorëheqjen”, shkroi ai.

Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu, reagoi menjëherë ndaj dorëheqjes, duke e falënderuar Munteanun për punën e tij dhe duke njoftuar se të hënën do të nisë konsultimet me partitë politike për zgjedhjen e një kryeministri të ri.

“Moldavia nuk ndryshon kursin e saj: reforma dhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian”, deklaroi Sandu.

Gjatë një konference për media, presidentja hodhi poshtë pretendimet se Munteanu kishte dhënë dorëheqjen sepse nuk ishte lejuar të luftonte kundër abuzimeve, duke i cilësuar këto pretendime si “të pavërteta”.

“Kryeministri kishte dorë të lirë për ta udhëhequr qeverinë sipas mënyrës që e konsideronte të përshtatshme”, tha ajo, raporton Euronews, transmeton Sinjali.

Alexandru Munteanu kishte marrë detyrën e kryeministrit në nëntor të vitit 2025. Më herët, ai kishte mbajtur disa poste në sektorin financiar, përfshirë në Bankën Kombëtare të Moldavisë dhe në Bankën Botërore në Uashington. Ai është gjithashtu themelues dhe partner menaxhues i kompanisë së investimeve 4i Capital Partners, e cila menaxhon portofol në Moldavi, Ukrainë dhe Bjellorusi.

Dorëheqja e tij vjen në një kohë kur në Moldavi po zhvillohet një debat i madh publik lidhur me kompaninë shtetërore të navigimit ajror MoldATSA, e cila është përfshirë në raportime mediatike për paga të fryra të zyrtarëve të saj.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT