Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës, Avni Arifi, ka kritikuar ashpër Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti, për qeverisjen e tij 6-vjeçare.
Arifi deklaroi në Edicionin Special në Klan Kosova se Kurti nuk e ka realizuar asnjë nga premtimet.
“Nuk i ka plotësuar asnjë. As autostradat, autostradat ekzistuese janë në gjendje edhe më të rëndë për shkak të mosmirëmbajtjes, ku po vrahen njerëzit. Rrugët, p.sh Prishtinë-Podujevë, rrugë 4 a 5 vjeçare, 20 kilometra. Me shku aty është ‘horror’, veç me shku me pa. Në rrugën e Dollcit, për dy vjet janë vrarë nja 15 persona, për shkak të mungesë së sinjalistikës. E ka bllokuar në 2021-tën autostradën e Gjilanit dhe nuk e ka ndërmend me shty përpara. Asnjë punë nuk e ka kryer”, deklaroi Arifi.


